Pas vdekjes së regjisores, reagon Ministra e Kulturës

Sot ka vdekur në moshën 51-vjeçare, regjisorja e njohur Burbuqe Berisha. Lidhur me këtë përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.
Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.
Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.
Burbuqe Berisha së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës./21Media

Back to top button