PDK e përkrah mocionin procedural për Ligjin për Buxhet

 

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se përveç PDK-së të gjitha partitë tjera politike i kanë bërë sherr Kuvendit të Kosovës dhe i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës.

Hamza deklaroi se e përkrahin mocionin procedural për votim të Ligjit të Buxhetit.

Ai tha se mungesa e fuqisë politike e qeverisë Hoti e ka sjell vendin në këtë situatë.

“Këto parti politike përjashtim të PDK-së realisht i kanë bërë sherr këtij Kuvendi, i kanë bërë sherr popullit dhe i kanë dëmtuar qytetarët e Kosovës. Kanë ardhur me premtime shumë pompoze dhe të mëdha se do jenë koalicion i shpresës doli që janë koalicion i dëmtimit të interesit të vendit. Me qenë mbarë dhe mirë qeveria e kishte aprovuar buxhetin në kohë, e kishte aprovuar buxhetin pa pasur nevojë që ne të vijmë dhe vendi të vijë në situatë të tillë çfarë ka ardhur. Por mungesa e fuqisë politike, mungesa e numrave dhe nuk e di pse një qeveri pranon me qëndrua në pushtet kur nuk i ka numrat dhe nuk mund t’i kaloj as iniciativat ligjore që kërkojnë shumicën e thjeshtë. Por edhe partia tjetër opozitare Vetëvendosje duhet me pas pak një konsistencë dhe me i mbajtur mend disa çështje. Nuk është moti kur PDK në një seancë të jashtëzakonshme ka kërkuar mocion procedural për t’i futur në rend të ditës ligjet për pakon emergjente dhe një gjë e tillë është kundërshtuar nga qeveria e atëhershme e koalicionit Vetëvendosje- LDK dhe partitë tjera”, tha ai.

Hamza shtoi se sot nuk po e përkrahin qeverinë, sepse po këtë qeveri vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka dërguar në shtëpi dhe mirë ka vepruar.

“Duke e marr për bazë rëndësinë e temës që jemi sot këtu dhe po e bisedojmë sepse nuk jemi këtu për me përkrahur qeverinë se vendimi qeverinë e dërgoi tek shtëpia dhe mirë boll që nuk po bënë mirëpo jemi këtu për t’i përkrahur dhe për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit dhe PDK sigurisht do jetë në përkrahje të mocionit procedural me qëllim që të ecim tutje me këtë temë“, theksoi ai.

Back to top button