PDK kritikon Ahmetin për 10-shen

 

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media, ku ka diskutuar për gjendjen e transportit publik në kryeqytet dhe për idenë e vendosjes së taksës për hyrje ditore në Prishtinë. Kjo degë ka shprehur shqetësimin për menaxhimin e udhëheqjes komunale.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli tha se modeli i organizimit të trafikut urban dhe transportit publik ka mbetur i tillë që nga koha e qeverisjes së Ismet Beqirit në Prishtinë, ndonëse Vetëvendosje në të dy fushatat zgjedhore kishe premtuar zgjidhje sipas modeleve të avancuara evropianë, e në fakt kjo u minimizua vetëm në blerjen me kredi të disa autobusëve.

“Tendenca e Vetëvendosjes për t’u shkëputur nga qeverisja e Shpend Ahmetit është e kotë. Shpend Ahmeti dhe qeverisja e tij komunale, në mandatin e dytë, është vazhdimësi e mandatit të parë, pra modeli qeverisës i Vetëvendosjes. Dhe margaritari i fundit i modelit qeverisës të VV-së, paralajmërimi për të vendosur taksën e hyrjes në Prishtinë për banorët e qyteteve të tjera, është një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar, për të mbledhur një grusht votash. As kaq nuk do të jetë efekti i saj, ngase Prishtina, është e prishtinasve, por është edhe kryeqendra e gjithë Kosovës, jo vetëm administrative, por edhe biznesore”, ka thënë Canolli.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha konsideroi se taksa është hapi i fundit në menaxhimin e lëvizshmërisë brenda një qyteti, atëherë kur të gjitha hallkat janë në funksion dhe qytetarët pa dallim kanë një mori alternativash dhe mundësish për të lëvizur në qytet dhe jashtë tij.

Ajo ka kritikuar Shpend Ahmetin për mosrealizimin e disa projekteve në Komunën e Prishtinës. Hoxha ka thënë se një ndër ato projekte është edhe mosrealizimi e rrugës A, si dhe dështimi i krijimit të sistemit të integruar të biletave.

“Ndërtimi i rrugës A e cila është zgjatim i rrugës B, duke lidhur kështu lagjen Mati me lagjen Kalabria. Është premtimi numër 88 i kësaj qeverisje, dhe as që ka nisur realizimi i saj… në anën tjetër për qasje me të lehtë nga jashtë, por edhe për shkarkim të makinave jashtë qytetit është e domosdoshme unaza e jashtme e cila është pjesë e planit zhvillimor komunal dhe urban që nga viti 2013, projekti i fizibilitetit të saj ende nuk ka nisur e lere më të mendohet nisja e realizimit të saj, si premtim numër 90 i kësaj qeverisje”, thotë ajo.

Tutje Hoxha ka thënë se qytetarët ftohen që të përdorin sa më pak makinën, për mos ndotjen e ajrit, në anën tjetër komuna e Prishtinës ka blerë autobusë që janë dizel, e që rezultojnë si ndotësit me të mëdhenjë të ajrit.

Hoxha ka thënë se edhe moslirimin e studentëve nga pagesa dhe ndërtimin e një stacioni modern të autobusëve është një nga premtimet e pa mbajtura të kryetarit të kësaj komune.

Sipas saj, të thirresh në taksë për me pak makina e më pak ndotje në qytet e të ndërtosh parking me 700 njësi parkimi në qendër të qytetit është absurde.

“Promovimi i modaliteteve të transportit publik dhe atyre miqësore me mjedisin, bëhen me qëllim të nxitjes qytetare për përdorim me të vogël të makinës, e me këtë si efekt vjen emetimi më i vogël i gazrave të CO2 në qytet, por ironia këtu qëndron se edhe autobusët e rinjë të blerë nga komuna e Prishtinës janë dizel dhe janë shkarkues dhe ndotës shumë të mëdhenjë në ajër. Në premtimin numër 20 ishte thënë që për tej linjave të reja, do të ishin edhe kontratat me operatorët privat, gjë që nuk ka ndodhur sepse ata nuk janë integruar në ombrellën e trafikut urban. As premtimi për bileta të integruara të transportit publik nuk ka ndodhur, dhe as premtimi tjetër për lirimin e studentëve nga pagesa” ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se ecja në këmbë vazhdon të jetë mision i pamundur por edhe ajo me biçikletë. Ajo thotë se krijimi i shtigjeve të reja për çiklistë në dëm të hapësirës, trotuarit për këmbësor siç është rasti te ndërtesa e KEDS e tutje, po ashtu tregon për qasje përjashtuese.

Back to top button