PDK kundërshton rritjen e çmimit të energjisë, fton ZRrE-në të hartojë një raport tjetër

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se ky subjekt është kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike nga 1 shkurti, sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Shala, në një konferencë për media, ka thënë se përkundër paralajmërimeve të hershme të PDK-së, e cila ka informuar institucionet e vendit dhe sektorin energjetik, Qeveria e Kosovës me paaftësinë e saj menagjuese, dhe ndërhyrjet politike në ZRRE, ka planifikuar ngritjen e çmimeve si të vetmen masë në këtë krizë.

“Konsistenca e Partisë Demokratike vazhdon edhe më tutje, sepse konsiderojmë që nuk është koha, rrethanat, dhe as mënyra e duhur për rritjen e çmimit të energjisë. Këtë konstatim e arsyeton situata e inflacionit të lartë, situata e pandemisë, situata e sezonit dimëror, ku qytetarët dhe gjithë taksapaguesit janë shumë të rënduar për shkak të këtyre faktorëve. Qeveria e Kosovës në vend që të sjellë alternativa të daljes nga krizat, ajo ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtoj projektet alternative energjetike, i tha jo gazit Amerikan, i tha jo investitorëve strategjik të energjisë së erës, i tha jo të gjitha burimeve tjera alternative”, ka thënë ai.

Shala ka konsideruar se planifikimi i përbashkët Qeveri-ZRrE për ngritjen e çmimit të energjisë, i prezantuar përmes raportit konsultativ, është manipulativ në shifra dhe në përmbajtje, është i paligjshëm dhe diskriminues.

“Si asnjëherë deri më tani, raporti konsultativ i Qeverisë dhe ZRrE-së, lë jashtë kufinjve 4 komunat e vendit duke mos i përfshirë në ngritjen tarifore që ka paraparë për pjesën tjetër të vendit. Pra kjo ndarje është e papranueshme dhe e paligjshme. Kjo është pabarazi e lartë mes qytetarëve të Republikës sonë. Kjo Qeveri po heq dorë nga shtrirja e sovranitetit energjetik shtetëror, e në anën tjetër në kurriz të taksapaguesve të pjesës tjetër, paguan shpenzimet qindra milionëshe të pjesës veri”, ka theksuar ai.

Shala ka ftuar ftoi sërish ZRrE-në ta rikthej në pikën zero raportin konsultativ, dhe në një afat optimal të sjellë një raport profesional dhe gjithëpërfshirës, të pa ndikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button