Peci për vizitën e Kurtit e Osmanit: Do të jemi atje për të vendosur sundimin e ligjit

 

Këshilltari i U.d së presidentes, Vjosa Osmanit, Faton Peci deklaroi se vizita e sotme e Osmanit dhe Albin Kurtit në Mitrovicë të Veriut u realizua me sukses.

Peci u shpreh se reagimet për vizitën, nuk e zhbëjnë atë. “Ne jo vetëm që ishim, por do të jemi sërish atje. Jo për të bërë fushatë, por për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit, të cilin PDK dhe satelitët e saj nuk arritën ta bëjnë prej dy dekadash!”, shkroi Peci në facebook.

Ai tutje komentoi edhe reagimin e PDK-së, e cila deklaroi se Kurti e Osmani e turpëruan shtetin e Kosovës.

“Reagimi i PDK-së, pos që është në linjë me atë të Listës Serbe, është poashtu pranim i dështimit për mos ushtrim të autoritetit të të gjitha qeverive të saj, prej 20-vjetësh në veri të vendit. Me këtë reagim, ata dëshmuan paaftësinë e tyre për ta qeverisur atë pjesë, sikurse dëshmuan edhe për pjesën tjetër të Kosovës. Madje, ky subjekt nëpërmjet njeriut të vet, ish-presidentit Thaçi le që dështoi të vendos autoritet në këtë pjesë, por e vuri tërësinë territoriale të Kosovës në pazar.”, shkroi tutje Peci.

Ndryshe, në disa media sot u raportua se vizita e Kurtit dhe Osmanit në Mitrovicë u ndërpre nga një grup i qytetarëve serbë. Ndërsa, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu bëri të ditur se vizita e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicë sot u realizua plotësisht. Ndërkaq, PDK përmes një komunikate deklaroi se Kurti dhe Osmani e turpëruan Kosovën./21Media

Back to top button