Për 24 orë, gjashtë raste të dhunës në familje
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.
Një rast ka ndodhur në Prishtinë, ku është raportuar se një nxënëse ka shkuar në shkollë me shenja dhune në fytyrë.
Po ashtu, në Prishtinë ka ndodhur edhe një rast tjetër gjatë ditës së djeshme, ku një grua ka raportuar se si pasojë e disa mosmarrëveshjeve është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Ndërkaq, në fshatin ”Miradi e Ulët”, në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se dje në orët e para të mëngjesit është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe gjithashtu i është nënshtruar tretmanit mjekësor.
Ndërsa në Lipjan një burrë mbrëmë ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij. Sipas policisë, i dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit.
Dje në mesditë në fshatin ”Orreberd”, të Istogut një burrë ka shkaktuar dhunë në familje si dhe e ka kanosur verbalisht vëllain e tij.
Ndërsa, një rast i dhunës është paraqitur edhe në Mitrovicë, ku mbrëmë një burrë ka raportuar se djali dhe vajza kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Në lidhje me këto gjashtë raste të ”dhunës në familje”, në ngjarjen e parë dhe të dytë rasti ka shkuar në procedurë të rregulltë, në rastin e tretë i dyshuari gjendet në arrati, në rastin e katërt dhe të pestë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa përsa i përket rastit të fundit dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?