Përfaqësuesi i SHBA-ve: Misioni i UNMIK-ut në Kosovë duhet të përmbyllet
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, ka thënë se dialogu mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet, përmes arritjes së një marrëveshjeje mbi njohjen reciproke.
Ai ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë duhet të përmbyllet.
“Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, ka thënë, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet raporti 6-mujor për Kosovën.
SHBA-ja po ashtu ka shprehur keqardhjen që thirrjet e mëparshme ndaj Këshillit të Sigurimit për të rishikuar këtë mision nuk janë dëgjuar.
Përfaqësuesi i SHBA-së ka theksuar se Uashingtoni mirëpret marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën për targat dhe tha se kjo marrëveshje është hap përpara për të dyja palët dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje dy shteteve që të vazhdojnë të punojnë që të gjejnë zgjidhje për çështjet e tjera të hapura.