Përjashtohen 3 policë, u rrahën dhe kanosën kolegët jashtë orarit

Tre punonjës policie me detyrë inspektorë janë përjashtuar nga detyra informoi sot policia e Shtetit në Shqipëri.
Ora News mëson se të përjashtuarit nga Policia janë inspektorët Ylber Dybeli, Redi Mato dhe Renato Feri ndërkohë masë disiplonore “Shtyrja e afatit të gradimit për 2 vjet” është marrë për punonjësin e Policisë Ervis Hasa.
Renato Fero, punonjës i policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë, rezulton që është djali i Shefit të sektorit të Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit. Ai u përjashtua pasi nuk i është bindur kolegëve të tij për të ndaluar automjetin, teksa gjatë kontrollit i është gjetur kanabis sativa.
Sipas njoftimit të publikuar sot mësohet se të tre policët ishin përfshirë në incidente të ndodhura në muajin dhjetor 2022 ku të tre janë konfliktuar me kolegët e tyre, prandaj ndaj tyre kishte pasur një hetim i thelluar.
Në përfundim Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit i kishte propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, përjashtimin e 3 punonjësve të Policisë, si dhe shtyrjen e afatit të gradimit me 2 vjet, për një tjetër punonjës policie.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të punonjësve të Policisë:
– Inspektor Ylber Dybeli, me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Ky punonjës policie u pezullua nga detyra, në datën 22.12.2022, pasi gjatë kohës që ka qenë jashtë orarit të shërbimit është konfliktuar me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë.
– Inspektor Redi Mato , me detyrë trup shërbimi/OPP, në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi në datën 21.12.2022, është konfliktuar me punonjësin e policisë E. H., gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit;
– Inspektor Renato Feri , me detyrë trup shërbimi, në Seksionin e Sigurisë dhe Objekteve, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kur është ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, për të ushtruar kontroll në automjetin e tij, i ka kundërshtuar, ofenduar dhe kanosur ata.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve të kryera, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë vendimin, të cilin e ka miratuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për caktimin e masës disiplinore “Shtyrja e afatit të gradimit për 2 vjet”, për punonjësin e Policisë Ervis Hasa, me detyrë trup shërbimi/OPP, në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi më datë 21.12.2022, është konfliktuar me punonjësin e policisë R. M., gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë shërbimit./oranews

Back to top button