Përkujtohet futbollisti nga Mitrovica, Riza Lushta

Sot u përkujtua futbollisti nga Mitrovica, Riza Lushta i cili vdiq në vitin 1997 në moshën 81 vjeçare.
Lushta ishte një ndër futbollistët e parë nga Kosova me karrierë të pasur ndërkombëtare, i cili kulmin e karrierës e arriti në vitet e 40-ta në Itali, me Juventusin.
“Sulmuesi nga Mitrovica karrierën e filloi në klubin e tij të vendlindjes, KF Trepça, për të vazhduar më pas në SK Tirana, ku me këtë skuadër fitoi katër tituj kampioni (1934, 1936, 1937 dhe 1939) dhe një herë Kupën e Shqipërisë (1939). Shkëlqimin e arriti në vitin 1942, kur me skuadrën e Juventusit e fitoi Kupën e Italisë, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kësaj gare me 8 gola të shënuara, derisa në finale u shpallë lojtari i ndeshjes duke realizuar hat-trick ndaj Milanit, për fitoren 4-1 të skuadrës së tij”, thuhet në shkrimin kushtuar Lushtës.
Përveq Juventusit ka luajtur edhe në skuadra të tjera si Bari, Napoli, Alessandria, Siena, Forlí e Rapallo në Itali, si dhe AS Cannes në Francë.
Lushta zë vend të veçantë në historinë e ligës Serie A, me 143 paraqitje dhe 60 gola të shënuara.
Ai e përmbylli karrierën e tij në vitin 1954 në moshën 38 vjeçare, ndërsa ndërroi jetë në vitin 1997 në moshën 81 vjeçare.
E sot, stadiumi i KF Trepçës ’89 në Mitrovicë mbanë emrin stadiumi “Riza Lushta”./21Media

Back to top button