Policia kërkon ndihmë për gjetjen e 29-vjeçarit të zhdukur në Shtërpcë

Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një 29-vjeçari të zhdukur nga fshati Biti e Epërme e Shtërpcës.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për personin, Goran S Kociç, i lindur më 25.04.1994. Ai është i gjatë, 1.77cm, peshon, 65 kg, ka sy kafe, ndërsa flokët i ka zeza.

“Kishte të veshura: xhaketë dhe gjinse të kaltërta dhe kishte të mbathura këpucë ngjyrë kafe. Që nga dita e raportimit, ekipet e policisë në bashkëpunim të ngushtë me familjarët e tij, banorë të zonës, Ekipet e Kërkim Shpëtimit të Gardës Kombëtare nga Forca e Sigurisë dhe ekipe civile nga “Shërbimi i Kërkimi-Shpëtimit Malor i Kosovës” janë në kërkim të personit të zhdukur.”, ka bërë të ditur Policia, e cila ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e 29-vjeçarit.

“Të gjithë ata që kanë informacione, që ndërlidhet me të, ta njoftoni menjëherë policinë, stacionin më të afërt të policisë, apo përmes numrit kujdestar 192 dhe aplikacionit digjital” Lajmëro Policinë”’, ka bërë të ditur tutje Policia.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka informuar gjatë ditës së sotme se ka filluar operacionin e kërkimit për 29-vjeçarin e zhdukur, të nacionalitetit serb nga fshati Biti e Epërme e Shtërpcës.

Back to top button