Policia në Teksas shpëton katër personat që ishin marrë peng

Pas më shumë se dhjetë orë negociatash me policinë, janë shpëtuar pa asnjë lëndim katër personat që mbaheshin peng në një sinagogë në periferi të Dallasit në Teksas, ndërsa policia ka qëlluar për vdekje pengmarrësin.
Ngjarja ndodhi në qytetin e vogël të Teksasit të Kollejvill,  nga ku raportohet se autori i pengmarrjes po kërkonte lirimin e një terroristi të dënuar.
Policia e këtij qyteti bëri të ditur se një ekip policor kishte hyrë në sinagogë, duke eliminuar pengmarrësin dhe njëkohësisht duke mos dëmtuar asnjë nga pengjet, të cilët janë në  gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë gazetarët raportuan se pati një shpërthim të fortë dhe të shtëna me armë zjarri në sinagogë deri pak para konferencës për gazetarë të policisë.
Mediat lokale raportuan se pengmarrësi ishte i armatosur dhe kishte pretenduar se kishte bomba në vende të panjohura. Por, kjo nuk u konfirmua nga policia.
Siç raportohet, burri po kërkonte lirimin e Afia Siddiki, e njohur si  “Zonja Kida” nga tabloidët amerikanë./21Media

Back to top button