Presidenca: Osmani nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët e prekur me COVID-19

 
Presidenca e Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me deklarimet e të parës së shtetit në një medium zviceran.
Osmani nga mediumi zviceran “Blick.” citohet të ketë thënë se një pjesë të fajit e kanë autoritet zvicerane për mosvaksinimin e kosovarëve që jetojnë në Zvicër.
“Ju po flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Janë shtetas të vendit tuaj, ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera të bindin për t’u vaksinuar. Të gjithë këta persona është dashur të vaksinohen në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë. Ne deri në gusht kishim një nivel të ulët të infeksionit, vetëm kur erdhën vizitorët nga Zvicra dhe shtetet tjera u rrit niveli i infeksionit”, ka thënë Osmani.
Por në fund të intervistës Osmani ka thënë se nuk është koha për fajësimin të njëri-tjetrit, por duhet dhënë vetëm një mesazh: vaksinimi shpëton jetë. Dhe se duhet vaksinuar të gjithë në Kosovë, Zvicër dhe gjithë botën.
Bekim Kupina këshilltar për media në Zyrën e Presidentes ka thënë se kjo deklaratë është nxjerr jashtë kontekstit duke thënë se “nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën! Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejt, por para se gjithash saktë”./21Media  

Back to top button