Presidentja e denoncon për kërcënim publik ish-ambasadorin Gjergj Dedaj

Ish-ambasadorit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj e ka akuzuar presidenten, Vjosa Osmanis se e ka larguar padrejtësisht nga misioni diplomatik, duke thënë se përveç ligjit vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe në lidhje me këto deklarata të tij, presidentja e vendit e denoncuar Dedajn në polici.
Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina i cili ka thënë se Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj.
”Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka thënë Kupina për rtv21.tv.
Kujtojmë që, dje Bekim Kupina përmes një postimi në ‘Faceboook’ ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ambasadorit, Gjergj Dedaj, për të cilin ka thënë se sjelljet dhe deklaratat skandaloze të këtij të fundit e shpërfaqin nivelin e degradimit të shërbimit diplomatik në qeverisjet e kaluara.
”Nuk mund të cilësohet profesional, promovimi nëpër studio televizive apo media online i diskursit nxitës, urrejtës dhe kërcënues. Lajm do të duhej të ishte kërcënimi që Dedaj ia bën Presidentes së shtetit, porse jo gënjeshtrat e tij. Ky raportim i njëanshëm, kjo përmbysje e lajmit është në kundërshtim total me parimet profesionale në gazetari. Kërcënimi i Dedajt është çështje që duhet të trajtohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë dhënia e hapësirës mediale një personi, recidivist i keqpërdorimit të historisë familjare në funksion të përfitimeve personale”, ka shkruar Kupina në ‘Facebook’./21Media

Back to top button