Prindërit i lanë 11 fëmijë nën mëshirën e shtetit

Braktisja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mbetet problem shqetësues. 11 fëmijë u braktisën vetëm për nëntë muaj. Këtë e ka konfirmuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për portalin rtv21.tv. Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje për rtv21.tv ka thënë se për të njëjtën periudhë u raportuan 75 raste të “keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve”
Zyrtarja e lartë për statistika sociale në kuadër të ASK-së, Mirvete Fazliu për portalin rtv21.tv ka thënë se nga 11 fëmijët e braktisur, 6 prej tyre janë djemë dhe 5 vajza.
Sipas statistikave të ASK-së, në tre muajt e parë (TM1) të vitit 2021, u braktisën 4 fëmijë, dy djemë njëri në Vushtrri e tjetri në Malishevë dhe dy vajza njëra në Prishtinë dhe tjetra në Ferizaj.
Po ashtu edhe në tremujorin e dytë (TM2) u braktisën 4 fëmijë. Katër djemtë e braktisur ishin në qytetet: Fushë Kosovë, Prishtinë, Suharekë dhe Partesh.
Ndërsa në tremujorin e tretë (TM3) u braktisën tri vajza, një në Prishtinë, një në Gjilan dhe një në Prizren.
Agjencisë së Statistikave të Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se të dhënat e tremujorit të katërt (TM4-2021) janë duke u përpunuar. Ndërsa për dy javët e para të janarit nga ASK-ja thonë se nuk kanë marrë ende ndonjë raport.
Kujtojmë se gjatë vitit 2020 në Kosovë u braktisën 28 fëmijë, 19 djemë dhe 9 vajza./21Media

Back to top button