Prindon Sadriu: Kur njerëzit e zemrës sulmohen, nuk mund të heshtësh

Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ai asnjëherë nuk synon të cenojë gazetarinë profesioniste, dhe se statusi i tij i mbrëmshëm është devijuar qëllimshëm nga disa.
”E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e parezervë. Jam siguruar gjithnjë të bëj dallimin e qartë në mes të individëve me agjenda të caktuara dhe mediave, të cilat vërtetë i përgjigjen misionit të tyre të shenjtë. Ashtu ishte dhe mbrëmë ku kam bërë dallimin e qartë”, ka shkruar Sadriu në një postim në Facebook.
Sadriu tutje ka shtuar se kur njerëzit e zëmrës përballen me sulme të vazhdueshme, atëherë ai nuk mund të heshtë para padrejtësisë.
“Tendencat për të njollosur veprimtarinë e imazhin e Presidentes Osmani, bashkëshortes sime dhe nënës së dy vajzave tona, janë thellësisht vështirë të tolerueshme, sepse ato çdoherë kanë rezultuar me kërcënimin ndaj jetës dhe sigurisë së tyre, gjë që ka rezultuar edhe me vlerësimin më të lartë të rrezikshmërisë nga ana e institucioneve të sigurisë”, ka shkruar Sadriu.
Ai ka treguar se familja e tij kanë pranuar dhjetëra kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime me vdekje.
“Dhjetëra kërcënime, përfshirë kërcënime me vdekje që bëhen ‘live’ nëpër emisione ndaj familjes sime, linçimet publike ndaj babait të Vjosës duke e shpallur atë polic serb që ka kryer krime ndaj shqiptarëve, paraqitja e familjes sime si njerëz që kanë vrarë shqiptarë, pastaj paraqitja jonë si kinse shpiunë e shërbëtorë të Rusisë e udhëheqës të klaneve mafioze, e deri tek propaganda e çdoditshme për kinse pasuri luksoze e artikuj për gjoja abuzim pushteti, janë jo vetëm të pavërteta por edhe kanë rezultuar me cenim të sigurisë edhe ndaj fëmijëve tanë që nga viti 2019″.
Sadriu ka pohuar se presidentja Osmani nuk ka shpenzuar asnjëherë kot dhe se nuk ka keq shfrytëzuar paranë publike.
Në fund Sadriu ka shtuar se “kur rrezikohet jeta e familjes sime për shkak të demonizimit, dezinformatave e propagandës së njerëzve të caktuar, është detyrë po aq e shenjtë që të gjithë ta mbrojmë familjen, dinjitetin dhe të vërtetën”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sot ka reaguar ndaj Prindon Sadriun për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve. /21Media

Back to top button