Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, janë zotuar se do të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit dhe do të respektojnë në tërësi Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, që mbron burimet e informacionit.

Sot në një komunikatë për media, pak ditë pasi Prokuroria nisi hetimet për rrjedhjen e dokumenteve të negocimit të kontratës së shtetit me kompaninë “Pfizer” për vaksinat ndaj COVID-19, ky institucion ka bërë të ditur se ka kërkuar nga prokurorët që të shmangin hetimet ndaj mediave.

Për këtë, komunikata thotë se është lëshuar një udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët.

“Udhëzimi gjithashtu ua rikujton prokurorëve që, sipas ligjit, gazetarët nuk mund të ndiqen penalisht në rastet kur e shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes lidhur me burimet e tyre të informacionit. Për me tepër, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që ta njoftojnë para se të ndërmarrin ndonjë veprim hetimor ndaj gazetarëve apo profesionistëve të medias. Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë./21Media