Prokuroria ende në fazën e hetimeve për konkursin e anuluar të KEK-ut

Prokuroria Themelore në Prishtinë është ende në faze të hetimeve lidhur me pretendimet për shkeljet ligjore në punësimet në prill të vitit 2022 në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë ndodhet në fazën e hetimeve, sipas autorizimeve të lëshuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, policisë”, ka thënë Ulaj duke shtuar se nuk mund të japin më shumë informata për këtë çështje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë  përmes një komunikate për media kishte njoftuar se më 4 prill kishte nisur hetimet në lidhje me pretendimet për shkeljet ligjore në punësimet në këtë konkurs nga KEK.
Hetimet e Prokurorisë kishin nisur pas raportimeve për punësime familjare dhe partiake në KEK. Në konkurs patën aplikuar 4 mijë e 668 kandidatë për 128 vende.
Pas Prokurorisë pati reaguar edhe Agjencia Antikorrupsion, e cila kishte njoftuar se nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative pasi për të njëjtin rast ka nisur hetime Prokuroria.

Back to top button