Publikohet audioincizimi i Trumpit ku flet për dokumente “shumë konfidenciale”

Një regjistrim audio në të cilin Donald Trump duket se pranon se ka mbajtur një dokument konfidencial pas largimit nga Shtëpia e Bardhë është marrë nga mediat amerikane.

Në regjistrim, ish-presidenti dëgjohet duke përshkuar letrat dhe duke thënë: “Kjo është shumë konfidenciale”.

Fillimisht është marrë nga CNN, por klipin e ka edhe CBS.

Trump është deklaruar i pafajshëm për akuzat federale për keqpërdorimin e dokumenteve të ndjeshme.

CNN-i së pari publikoi audion dyminutëshe, që thuhet se është bërë në korrik të vitit 2021, në një takim në klubin e golfit të Trumpit në New Jersey. Trumpi thuhet se ishte takuar me disa persona që po punonin në një biografi të ish-shefit të stafit të tij, Mark Meadows.

Trumpi dëgjohet duke thënë “këto janë letrat” dhe i referohet dokumenteve për Iranin të cilat i quan “shumë konfidenciale”.

“Këto janë bërë nga ushtria dhe më janë dhënë mua. Si president kam mundur t’i deklasifikoj, por tash nuk mundem. Por, e dini, kjo është ende një sekret”, ka thënë Trump.

Duket se është audioincizimi i njëjtë që është përmendur nga prokurorët në aktakuzën e ngritur ndaj Trumpit.

Nuk është e qartë nëse dokumentet që përmenden, kanë arritur të merren nga hetuesit.

Prokurorët pretendojnë se Trumpi u ka treguar dokumente të klasifikuara personave në dy raste, përfshirë një shkrimtari dhe dy anëtarë të stafit.

Trumpi o përballet me 37 akuza se ka mbajtur ilegalisht dokumente të klasifikuara dhe ka penguar tentimet e Qeverisë për t’i rikthyer ato dokumente.

Ai vazhdimisht i ka mohuar akuzat.

Ai ka thënë se gjitha dokumentet që i mori me vete nga Shtëpia e Bardhë ishin të deklasifikuara./21Media

Back to top button