Qëndron Kastrati publikon pamje të rrënimit të kazinove në Karaçevë

 

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një operacion në Karaçevë të Kamenicës. Përveç arrestimeve që janë bërë, atje ka filluar edhe rrënimi i kazinove. Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.

Kastrati përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka publikuar pamje nga rrënimi i atyre objekteve.

“Ora 03:00 e mesnatës. Komuna, në bashkërendim me institucionet e sigurisë, po vazhdon me rrënimin e të gjitha objekteve që kanë qenë të destinuara si kazino”, ka shkruar ai mbi videon e publikuar.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale. 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë janë arrestuar./21Media

Back to top button