Qeveria ndan 7 milionë eruo për pagesat për studentët dhe punonjësit publik

(Lajm i përditësuar)
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 110-të, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve prej 7 milionë eurove për shtesat ndaj punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe për studentët.
“Kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të mjeteve buxhetore prej 7 milionë euro për zbatimin e pikës 1.4 dhe 1.6 të Vendimit Nr. 31/99 të datës 30.09.2022, përkatësisht për pagesat e njëhershme për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe pagesat e njëhershme për studentët, dhe për zbatimin e Masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.”, thuhet në njoftim.
Miratohet vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji
Qeveria e Kosovës ka mbajtur të martën mbledhjen e 110-të në mënyrë elektronike, ku mori edhe disa vendime.
Është miratuar vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme edhe për 30 ditë.
Ndër masat emergjente ka qenë ndalimi i mihjes së kriptovaluteve, vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Qeveria i propozon Kuvendit dërgimin e FSK-së me mision jashtë vendit për tri vjet
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 110-të, mori vendim për t’i propozuar Kuvendit miratimin për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,.
“përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands. Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi
FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button