QKK afro 2 milionë euro borxhe, shkarkohet drejtori Arben Zharku

Arben Zharku është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Në vendimin e siguruar, komisioni disiplinor që është krijuar në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka marrë vendim që të shkarkojë drejtorin e këtij institucioni, Arben Zharkun, bazuar në Ligjin për zyrtarë publikë, sipas të cilit është vlerësuar se Zharku ka kryer shkelje të rënda të detyrës.
Si pasojë e kësaj, institucioni i QKK-së  ka hyrë në borxhe të paarsyetuara dhe për të cilat edhe sot nuk ka siguruar mundësi të pagesës së atyre borxheve. Këto borxhe kapin shifrën afër 2 milionë euro.
”Në total, borxhet e QKK-së ndaj operatorëve ekonomik, deri në kohën e hartimit të këtij raporti, arrijnë shumën prej: 1. 809.075 euro. Borxhet për vitet 2018, 2019 dhe 2020, vetëm për kategorinë: Subvencione ( mbështetje financiare për realizimin e filmave) janë në shumën prej 1.710.375”, thuhet në vendimin e komisionit disiplinor.
Përpos kësaj, në këtë vendim thuhet se shkeljet e pretenduara dhe gjejtjet përshijnë financimin e filmave, përkatësisht i filmit ”Ekzil” me regji të Visar Morinës.
Sipas vendimit, këshilli drejtues i QKK-së ka pretenduar se filmi ”Ekzil” është koproduksion minor dhe jo film vendës, dhe si i tillë është dashur të subvencionohet në maksimum deri në vlerën 70 mijë euro.
Sipas Ligjit për Kinematografinë, filmi i metrazhit të gjatë artistik mund të subvencionohet deri në 50 për qind të vlerës totale, ndërsa ”Ekzil” është subvencionuar me 150 mijë euro.
Ndërkaq, sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Iber Alaj, tha se akoma nuk ka marrë epilog procesi për shkak se është në shkallën e  parë.
”Komisioni disiplinor ka marrë një masë disciplinore që është e drejtë që është një kundërshtim në aspektin procedural nga pala. Akoma nuk ka përfunduar procesi definitiv bazuar në rregulloren për zyrtarë publikë. Si proces edhe nuk ka marrë epilog procesi. Por pala ka afat 15 ditë që të argumentojë gjetjet Komisionit në lidhje me vendimin e masës”, tha Alaj./Kallxo.com

Back to top button