Qytetarët bëjnë kilometra për një shërbim noterie
Disa nga komunat e Kosovës ende po përballen me mungesën e noterëve, e kjo qytetarëve po iu krijon vështirësi për marrjen e këtij shërbimi.
Rasti i fundit është me bujqit e Rahovecit të cilët janë detyruar që për të aplikuar për subvencione të cilat i ndan Ministria e Bujqësisë, të kërkojnë shërbime nga noterët komunave të tjera.
Lidhur me këtë çështje pat reaguar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi i cili kërkonte nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Bujqësisë të bënte diçka për t’ ua lehtësuar procesin e aplikimit bujqve.
Në një përgjigje për portalin rtv21.v para dy ditësh nga kjo komunë janë ankuar se që nga hapja e aplikimit e deri më tani nuk është bërë asgjë konkrete përveç që iu është mundësuar fermerëve të kryejnë shërbime tek të gjithë noterët në Prizren, Gjakovë dhe Suharekë.
“Vështirësia e vetme për fermerët tanë është pritjet e gjata tek noterët që ju shkakton humbje kohe, shpenzime dhe maltretime me pritje të gjata, ndërsa aplikimi ne Drejtorinë e Bujqësisë po shkon mirë ngase kemi marr të gjitha masat duke hapur edhe dy zyre për aplikim në fshatin Krushë e Madhe dhe Ratkoc, kjo ka ndikuar që fermerët të kenë mundësi të aplikojnë ne këto qendra dhe ka shkarkuar fluksin e madhe që do të shkaktohej në Rahovec.”, kanë thënë nga komuna e Rahovecit për portalin rtv21.tv.
Sa i përket kësaj Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Flamur Pireva për portalin rtv21.tv ka thënë se qytetarët në komunat ku nuk ka noterë shërbehen më shërbime noterie në komunën më të afërt, ai këtë e ka arsyetuar me pensionimin e noterëve dhe faktit se ende nuk është bërë emërimi i noterëve të rinj – për shkak që siç ka thënë ai të procesit gjyqësor që ishte zhvilluar lidhur me Provimin e Noterisë.
“Emërimi i noterëve në komunat përkatëse pa noterë, ato me nga vetëm një noter, si dhe komunat që kanë nevojë për më tepër noterë, do të bëhet pas procesit të ri të provimit të noterisë, përkatësisht gjatë këtij viti. “, ka thënë Pireva.
Ai është zotuar se Ministria e Drejtësisë, është duke e trajtuar me prioritet mungesën e noterëve, sipas tij shumë shpejtë, brenda kompetencave të saj kjo ministri do të ndërmarrë veprime konkrete të cilat do të ofrojnë zgjidhje të këtij problemi.
Procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020 pat marrë vendim për anulimin e Provimit të Noterisë, me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet.
Por, Gjykata Themelore në Prishtinë, në fillim të marsit ka anuluar vendimin e Haxhiut. Pra me këtë rast Gjykata ka vërtetuar procesin e provimit për Noterinë, të shpallur më 19 prill të vitit 2019, si i ligjshëm dhe i drejtë.
Ndërkaq në mars të këtij vitit Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vendosur që të hap konkurs të ri për provimin e noterisë. Haxhiu në një konferencë për media pat deklaruar kjo po bëhet për qëllim të rritjes së cilësisë, por edhe konkurrencës midis kandidatëve./21Media