Qytetarët shpresojnë që viti 2020 të sjell më shumë perspektivë për të rinjtë

Organizimi i Komunës së Prishtinës u pëlqeu qytetarëve

Qytetarë të shumtë edhe këtë vit kanë zgjedhur sheshet e Prishtinës për të pritur ndërrimin e moteve.

Për të festuar Vitin e Ri 2020, përkundër të ftohtit dimëror, festës “Prite në Shesh” iu përgjigjën jo vetëm kryeqytetasit.

Me t’u afruar akrepat afër mesnatës sheshi “Skënderbeu” u mbush nga qytetarë, mes tjerash për të shijuar edhe pamjen mahnitëse, ku qielli i Prishtinës u ndriçua nga fishekzjarrët.

Për organizimet e tilla dhe atmosferën festive që po mbretëronte sonte, qytetarët shprehin fjalë të mira për organet komunale. Derisa shpresojnë që viti 2020 Kosovën të gjejë me më shumë perspektivë për të rinjtë dhe formim të institucioneve.

Porosia kryesore për vitin 2020 që e adresoi Bukurije Cakolli ishte që fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti të arrihet të bëhet kryeministër.

Për vitin 2020 uroj që Albini të jetë kryeministër dhe të punojë më shumë për rini. Sidomos për ju të rinjtë, se ne veç e patëm në këtë kohë… Shumë të mira si këtë vit asnjëherë nuk ka qenë më mirë edhe atë besoj”, tha ajo.

Prej diasporës për të pritur Vitin e Ri në Prishtinë ka ardhur Orges Zeneli, i cili shprehet i kënaqur me organizimin e një aktiviteti të tilla nga na e komunës.

Ua uroj Vitin e Ri, shumë sukses krejt shqiptarëve. Jam nga diaspora, jetoj në Zvicër edhe shumë suksese… Kemi ardhur në pushim, çdo vit vina si verë si dimër se s’ka me Prishtinë”, tha ai.

Qytetari tjetër, Olt Cakolli duke shprehur optimizmin e tij për vitin 2020, thotë se gjatë këtij viti duhet të realizohen gjitha qëllimet e të rinjve.

Unë kam porosi për krejt njerëzit që le të mundohen me i realizuar qëllimet e tyre, le të punojnë sa më shumë në drejtim të kësaj. Le të besojnë në atë dhe kanë me arrit. Vetëm duhet me besu në vetvete edhe me punu”, tha Cakolli.

Krahas qytetarëve të shumtë, me familje për të festuar kishte dalë në sheshin “Skënderbeu” edhe aktori, Jeton Zogiani.

Ai u shpreh i kënaqur me masivitetit e këtij aktiviteti, derisa thotë se viti 2020 për  Kosovën duhet të jetë më i mirë.

Kjo kulturë tek ne ka munguar. Kryesisht kemi qenë të fokusuar me prit në shtëpi tona dhe tash se disa vite ka filluar me marrë vetën që njerëzit të presin në shesh dhe të ndajnë kënaqësinë të gjithë së bashku në ambient të hapur… Pres krejt të mirat për qytetarët, shpresoj për më të mirën të mundshme. Mendoj se duhet të qëndrojmë këtu, të ndërtojmë një Kosovë qysh dëshirojna ne, mos të lëshojmë Kosovën në asnjë moment”, tha Zogiani.

E përfaqësuesi i Komunës së Prishtinë, Adrian Berisha tregon dallimet që ka pasur aktiviteti i sivjetmë i ndërrimit të moteve me vitet e kaluara. Derisa thotë se këto janë shumë të rëndësishme edhe për vetëdijesimin e gjeneratave të ndryshme.

Këtë vit ‘Prite në Shesh’ nuk ka qenë vetëm një natë sikur vitet e kaluara, por ka qenë përplot 27 natë. Kemi filluar që nga data 4 dhjetor për të vazhduar deri më sot dhe nesër. Deri më datën 1 janar ka me pas performanca muzikore. Plus kanë qenë dy zona ku çdo natë ka pas bende edhe artistë të ndryshëm që kanë performuar… Unë besoj që përmes aktiviteteve kulturore edhe aktivitete të tilla ne arrijmë të bëjmë një vetëdijesim tek gjeneratat e ndryshme edhe janë të rëndësishme shumë, ia vlen me kaluar pak kohë të mira edhe jashtë shtëpisë”, u shpreh Berisha.

Numër i madh i qytetarëve u panë të qëndrojnë edhe tek sheshi tjetër “Zahir Pajaziti”, ku po shijonin orët e para të ndërrimit të moteve.

Për ofrimin e sigurisë në sheshet e kryeqytetit qëndruan forca të shumta policore, ku Policia e Kosovës edhe këtë vit ka përgatitur urdhrin operativ “Fundviti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e vendit tonë.

Back to top button