​Rama: Dialogu Kosovë-Serbi në një pozitë tjetër, meritat u shkojnë qytetarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është në një pozitë tjetër sot dhe beson fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër.

Rama i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas një takimi që kishin në Itali.

“Kemi një mosmarrëveshje të madhe apo le të themi nuk është një mosmarrëveshje sinqerisht, por një distancë mjaft e madhe, më shumë sesa një mosmarrëveshje, kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohija e atë që unë e quaj Kosova. Por, a është kjo një arsye për të mos folur, apo është një arsye për të folur më shumë?! Mendoj që është një arsye për të folur më shumë dhe meqë ra fjala, edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot. Dialogu është në një pozitë tjetër sot dhe unë besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër dhe më duhet t’iu them që jam takuar me kryeministrin Kurti para pak ditësh dhe pashë që ishte shumë më i hapur dhe konstruktiv sesa më parë. I thashë atij, ia thashë publikisht dhe e përsëris se është shumë e rëndësishme që të nxisim e të sigurohemi që si pjesa e asociasionit dhe aspekti fetar i dialogut të garantohen 100% për qytetarët serbë në Kosovë që janë pakicë e duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem midis të gjithëve ne në të ardhmen”, tha ai.

Rama, Vuçiq dheKovaçevski po qëndrojnë në Verona, Itali, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.

Rama shtoi se ky panair do jetë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë tonë, për prodhimin e verërave, sfidat dhe ambiciet tona dhe po ashtu do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit që të krijojnë kontakte me ata të Evropë dhe më gjerë në botë.

“Jemi të tre këtu sepse ia kemi dalë të jemi pjesë e një prej manifestimeve më të mëdha në Europë të prodhimit të verës në Itali, në Verona. Për herë të parë, prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin e ligës së kampionëve… Nuk i shohim këto nisma si kundërshtuese, por përplotësuese dhe gjithmonë do t’u bëjmë thirrje dhe anëtarëve të tjerë të kësaj kategorie a këtij rajoni, çfarëdo ta quani rajonin tonë, që të bëhen pjesë kurdo që të duan. Të bashkohen me gjysmë zemre, pa zemër, me zemër të plotë, është zgjedhja e tyre, nuk e kontrollojmë ne angazhimin me zemër ose jo. Ne kontrollojmë rezultatet dhe të mirat që nismat tona sjellin për qytetarët tanë”, tha ai.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiqpatën diskutime mjaft të frytshme për çështjet reale, çështje që nënkuptojnë jetën reale të qytetarëve të vendeve të Ballkanit të Hapur.

“Ajo çka diskutuan ishte sesi të ndihmojnë qytetarët e zakonshëm që të heqin të gjitha pengesat e barrierat e mbetura në tregtinë e lirë dhe në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në vendet e Ballkanit të Hapur. Diskutuam shumë çështje konkrete dhe besojmë se do të përgatisim gjithçka përpara nisjes së sezonit veror që do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të qarkullojnë përmes kufijve të secilit prej vendeve tona dhe besoj që njerëzit do ta vlerësojnë këtë shumë”, tha ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se ky panair e vërtetoi që Ballkani i Hapur po jep rezultate për njerëzit dhe bizneset, ka vërtetuar atë çka kemi përsëritur gjatë tërë kohës që Ballkani i Hapur nuk është nismë politikë, por në të kundërt është një nismë ekonomike e cila mbështetet në katër liritë mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit.

“Të dhënat që kemi ndarë, përfitimet që kemi ndarë dhe përfitimet që do të vijnë në të ardhmen e afërt, me sistemin e përbashkët të pagesës së tarifave rrugore elektronike midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë dhe me kartën e identitetit të hapur, përmes të cilës çdo punonjës mund të punojë nga njëri vend në tjetrin, nuk ka motiv më të madh dhe provë më të madhe për vendet e tjera të rajonit që të vijnë e të bashkohen me Ballkanin e Hapur”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjithashtu sa i përket Ballkanit të Hapur, tha se muajin e ardhshëm do të takohemi diku në Serbi dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme.

Back to top button