Rama prezanton projektin për transformimin e sheshit “George Bush”

I pari i Prishtinës, Përparim Rama prezantoi sot projektin për transformimin e sheshit “George Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike.

Rama tha se ideja e këtij investimi nuk është vetëm një dizajn linear, por që sheshet të jenë sa më të qasshme dhe të sigurta për secilën moshë.

Ai theksoi se i kupton qytetarët që janë të frustruar rreth këtyre punimeve, për çka shton se kjo çfarë po bëjnë është zgjidhje, veçse sipas tij investimet kërkojnë kohë.

Rama potencoi se në kuadër të punimeve do të hiqen elementet e asfaltit që nuk janë ambientale, derisa shtoi se do të transformohen me elemente të gjelbërta.

Ai po ashtu theksoi se do të duhen deri në tetë vjet, në mënyrë që ky proces të realizohet.

Lidhur më këtë projekt foli edhe drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki për çka tha se ky projekt ka qenë i planifikuar qysh në vitet e 70-ta.

I pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se planifikojnë që të heqin muret të cilat e rrethojnë Katedralen “Nënë Tereza”, në mënyrë që mos të shihet si cenim i lëvizjes së lirë dhe të jetë e hapur për të gjithë qytetarët.

Përveç kësaj, Rama shtoi se janë duke punuar në ndërtimin e “Rrugës A” dhe depërtimin në Veternik, që e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë.

Rama foli edhe për punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit, derisa tha se të gjitha punimet po bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe evitimin e komunikacionit.

Ai tha se përveç procesit të ndërtimit të pesë shkollave tani, planifikohet që të ndërtohen edhe pesë të tjera.

Në fund, Rama tha se ky projekt do t’u prezantohet edhe qytetarëve në mënyrë që të kuptojnë qëllimin dhe secilin detaj rreth punimeve.

Back to top button