​Ramosaj: Komunikim i zorshëm me qeverinë, rruga Deçan-Plavë nuk duhet të diskutohet

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj konsideron se asnjëherë më parë nuk ka qenë më i vështirë komunikimi me qeverinë qendrore sesa me ekzekutivin aktual të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Ramosaj thotë se viti 2022 është karakterizuar me mungesa të theksuara si në buxhet ashtu edhe në përkrahje qeveritare.
Por, përkundër kësaj i pari i Deçanit deklaron se kjo komunë ka arritur që të realizojë projekte të rëndësishme që rrisin kualitetin e jetës së qytetarëve.
“Komunikimi është i zorshëm edhe pse ti adreson kërkesa, shkresa të ndryshme, kërkesat që me pas takime, për të ardhur për të vizituar Deçanin me pa për së afërmi se çka po bëhet dhe çka ka nevojë, është një komunikim i zorshëm që në praktikën time për aq sa jam duke punuar në Komunë, nuk e kam pas me ndonjë qeveri tjetër… Duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët barabartë se në fund të fundit këta janë qytetarë të shtetit të Kosovës e që gjithsecili iu takon me ua dhënë hisen e vetë sepse të gjithë jemi kontribuues e aksionar në buxhetin shtetëror”, deklaroi kryetari i Deçanit.
Në një intervistë për KosovaPress, i pari i Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar janë mbështetur vetëm për projektin e Qendrës së Trashëgimisë Kulturore edhe Historike, ndërsa për vitin aktual nuk kanë marr ndonjë mbështetje të theksuar.
“Viti 2022 ka qenë një vit me mungesë të theksuar të buxhetit sidomos prej nivelit qendror ku kemi pas mbështetje me vetëm 1 projekt që ka të bëjë me Qendrën Rinore dhe një pjesë të buxhetit që ka të bëjë me Qendrën e Trashëgimisë Kulturore edhe Historike. Buxhetet e tjera janë buxhete të bartura, më vjen mirë që një pjesë e projekteve janë realizuar përfundimisht, një pjesë e projekteve kanë ecur bukur mirë sipas planit dhe dinamikës të tyre. Mirëpo, me këtë që është arritur mundësitë buxhetore që i kemi pasur, kam qenë tejet i kënaqur sepse kam qenë për së afërmi dhe jam ballafaquar me vështirësitë dhe mungesat buxhetore të mëdha”, theksoi ai.
Projekti i Kolonisë së Artistëve, fshati turistik “Shkelzen Haradinaj”, asfaltimi i rrugës për bjeshkën e Strellcit janë disa nga projekte që Ramosaj synon t’i përfundojë gjatë vitit 2023.
Si projekt të rëndësishëm Ramosaj e konsideron edhe përfundimin e asfaltimit të rrugës Deçan-Plavë.
Ai thotë se gjatë vitit që e lamë pas kanë pasur mospajtime me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu sa i takon gjerësisë së asfaltimit të kësaj rruge që lidh Kosovën me Malin e Zi.
Megjithatë, Ramosaj insiston që gjerësia e asaj rruge duhet të jetë 7 kilometra e gjerë e jo 5 kilometra ashtu siç është propozuar nga MMPHI-ja.
“Kjo rrugë është përfunduar deri në kufirin me Malin e Zi, na kanë mbetur edhe 12 kilometra për t’u asfaltuar dhe me marr formën përfundimtare, normal që ka problematika e sfida por nuk duhet gjithmonë njerëzit me u lidh për ato problematika. Rruga Deçan-Plavë nuk duhet të diskutohet, duhet me u ndërtuar dhe kaq këtu përfundon muhabeti dhe çdo justifikim tjetër për mua është i panevojshëm dhe dashakeq… As ministri Aliu nuk është kundër ndërtimit të kësaj rruge, mirëpo që kemi pas keqkuptimet tona, unë kam insistuar që kjo rrugë të jetë 7 metra me gjerësi, dikush brenda ministrisë që i bëjnë projektet nuk e kanë arsyetuar këtë 7 metërsh, kanë thënë se duhet të jetë 5 metërsh dhe na ka humbur thuajse 1 vit edhe pse loti i parë i kësaj rruge është 7 metra dhe nuk kuptim që një rrugë që lidh një shtet me një shtet tjer me qenë e një gjerësie tjetër vetëm ashtu”, u shpreh Ramosaj.
I pari i deçanasve, Ramosaj thekson se si Komunë kanë arritur që për vitin 2022 ta shfrytëzojnë 90% të buxhetit të tyre.
Por, kontratën kolektive e konsideron problematike për buxhetin e kësaj komune.
“Kontrata kolektive është problematika e parë e cila ta çorienton buxhetin sepse kur pagat merren nëpërmes përmbaruesve, në emër të zbatimit të kontratës kolektive qoftë për sektorin e arsimit, shëndetësisë e shujtat e punëtorëve është një çrregullim dhe në bazë të këtij çrregullimi kur gjykata t’i merr paratë nga kodet që i ke të orientuar në një projekt që shkon në dobi të publikut atëherë nuk mundesh të zbatosh sepse nuk e ke buxhetin mjaftueshëm që të kryhen procedurat e tenderimit. Përkundrejt kësaj teme, Komuna e Deçanit ka arritur të shfrytëzojë buxhetin thuajse 90%, ata që e ka pas në posedim”, theksoi Ramosaj.
Përkundër sfidave që Ramosaj i ka identifikuar, ai mburret që kanë arritur t’i realizojnë objektivat e tyre që i kishin vendosur për vitin 2022.
“Ajo që në vitin 2022 ka ndodhur në Deçan, qoftë me rrugën e qendrës e cila ka filluar në pjesën e dytë për t’u ndërtuar, qoftë me rrugën për bjeshkën e Strellcit, qoftë me punimet në rrugën Deçan-Plavë, qoftë fshatin turistik ‘Shkelzen Haradinaj’ punimet që janë bërë në fshatin turistik ‘Pleqe’ tashmë qoftë me Koloninë e Artistëve, qendrën rinore dhe janë një mori projektesh të tjera si elektrifikimi i bjeshkës së madhe, elektrifikimi i bjeshkës së Belegut janë një mori projektesh të cilat vitin 2022 që ne të mburremi si Komunë në objektivat që i kemi arritur. Mungesa karshi kërkesave të qytetarëve e pamundësia për t’i realizuar këto kërkesa janë të shumta, sidomos janë të natyrës të infrastrukturës qoftë të kanaleve të ujitjes, të shtrirjes së rrugëve me asfalt, të kanalizimeve, të rritjes së kapaciteteve të ujësjellësit, shtrirja po ashtu e energjisë elektrike që është kompetencë e KEDS”, u shpreh Ramosaj.
Edhe Deçani gjatë vitit të kaluar është prekur nga vërshimet të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të cilat janë evidentuar nga komuna, por që sipas Ramosaj, ende nuk kanë marrë mbështetje për t’u dal në ndihmë, sidomos fermerëve të kësaj ane.
Në komunën e Deçanit gjatë vitit të kaluar është punuar edhe në aspektin e infrastrukturën shkollore.

Back to top button