Raportet ndëretnike janë stabile edhe pas zhvillimeve të fundit në veri

Përkundër të gjitha problemeve të cilat i kemi pasur në Mitrovicë, raportet ndëretnike midis qytetarëve nuk janë përkeqësuar.
Kështu u tha sot në veri të Mitrovicës, gjatë konferencës me temën ‘Bashkëpunimi ndëretnik në Mitrovicën Veriore’, të organizuar nga organizata joqeveritare ‘Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike’ (ACDC).
Panelistët kanë prezantuar situatën nga perspektiva e komunitetit të tyre, si dhe nivelin e bashkëpunimit ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme në këtë komunë.
Aleksandar Rapajiç, drejtor i programit në kuadër të ACDC-së, duke prezantuar rezultatet e projektit dhe iniciativat e realizuara në tre vendbanimet multietnike në veri të Mitrovicës, ‘Lagjen e boshnjakëve’, ‘Kodrën e Minatorëve’ dhe ‘Kroin e Vitakut’, tha se përkundër sfidave dhe problemeve që kanë ndodhur gjatë një viti në veri të Mitrovicës, nuk është lejuar që një situatë e tillë të pengojë në realizimin e këtij projekti.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në atë pjesë, nuk kanë ndikuar në përkeqësimin e raporteve ndëretnike midis fqinjëve dhe qytetarëve në përgjithësi.
‘Përkundër faktit se këtë projekt e kemi zhvilluar në një vit ta quaj kërkues, ku ka ndodhur çdo gjë dhe gjithçka, mendoj se suksesi më i madh i projektit është se kemi arritur të mos lejojmë që një situatë e tillë të na pengojë, përkundër të gjitha problemeve që kemi pasur… Me kënaqësi mund të them se përkundër të gjitha problemeve të cilat i kemi pasur në Mitrovicë, raportet midis qytetarëve nuk janë prishur, nuk po flas për politikë dhe politikanë, mirëpo në mes të fqinjëve dhe qytetarëve nuk ka ardhur deri tek përkeqësimi i situatës’, ka thënë Rapajiç.
Skender Sadiku, zëvendës kryesues për komunitete në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, ka përmendur poashtu se ky projekt, sikurse edhe shumë projekte tjera, edhe pse janë realizuar në kohën e tensioneve, kanë dhënë efektin e tyre pozitiv tek komunitetet e ndryshme.
‘Jo gjithkush prej neve mund të bëjë gjëra të mëdha, mirëpo ne bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe… Shpesh mund të them se një cent i dhënë në këto aktivitete, vlen më shumë sesa miliona që mund të ipen më vonë. Janë gjetur edhe në kohën më të duhur, sepse projektet kanë shkuar kur ka qenë piku i tensioneve, dhe këtë mund ta kuptoni jo vetëm tek shoqëria ime, por edhe tek mediat e mëdha, të cilat lajmet i kanë nisur veç me gjëra të këqija, ndërsa unë ju kam thënë janë barrikadat, tensionet, dorëheqjet, shok-bombat, por ju nuk jeni duke vërejtur se paralelisht është duke u punuar në kulturë, sport, dhe është duke u punuar që të gjitha komunitetet të kalojnë’, theksoi Sadiku.
Edhe Hazir Krasniq, përfaqësues i komunitetit rom në Komitetin për komunitete në Mitrovicën e Veriut, ka pohuar se situata ndëretnike është e mirë, përkundër zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në atë pjesë.
“Është më e mirë, pak më e mirë (situate ndëretnike)…Problem ii vetëm është papunësia e madhe tek ne, asgjë tjetër”, u shpreh ai.
Ndryshe, në këtë konferencë u fol edhe për vërshimet e fundit, ndikimin e situatës politike në jetën e përditshme, si dhe nivelin e gatishmërisë për të bërë progres së bashku./kp

Back to top button