Rasti i rrahjes së fëmijës në Fushë Kosovë, nga një muaj paraburgim për dy edukatoret

(Lajm i përditësuar)


Nga një muaj paraburgim të dyshuarave për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në çerdhe

 Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarave për keqtrajtimin e një 3-vjeçari në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Rasti i rrahjes së fëmijës në Fushë Kosovë , Inspektorati i Arsimit me masa për edukatoret dhe drejtoreshën e çerdhes

Inspektorati i Arsimit tashmë ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë për suspendimin nga puna të dy edukatoreve dhe kuzhinieres së çerdhes “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi  Këshilltarja për media në MAShT, Edona Kutleshi-Maliqaj.

“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, tha Kutleshi-Maliqaj.

Ajo po ashtu paralajmëroi se masa do të ndërmerren edhe ndaj drejtoreshës së institucionit në fjalë

“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, tha ajo.


Keqtrajtimi i fëmijës në çerdhen e Fushë Kosovës, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarat

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, lidhur me rastin e keqtrajtimit të 3-vjeçarit në kopshtin “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë”,

“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet tutje.

Mbrëmjen e 18 shtatorit një qytetar publikoi një video ku shihet se familjari i tij 2 vjeç po keqtrajtohet nga edukatoret në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Ky rast ngjalli reagime të shumta, derisa të dyshuarat u arrestuan dje./21Media

Back to top button