Reagon Sveçla për vrasjen e shtatzënës, thotë se ka kërkuar të hetohen edhe policët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e Gjinekologjisë në Prishtinë.
Ai tha se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës për këtë rast.
Sveçla ka deklaruar se ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë.
“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër. Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”./21Media

Back to top button