Rifunksionalizim i Procesit të Berlinit apo fillim i orës së dialogut?!

Takimi i kryeministrit Albin Kurti me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ka qenë produktiv vetëm për faktin se e ka rifunksionalizuar Procesin e Berlinit. Kështu tha për rtv21.tv Fidan Ukaj, analist politik.
Sipas tij, Procesi i Berlinit është një mekanizëm i domosdoshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor për arsye të shumë projekteve që Kosova dhe vendet e tjera mund të përfitojnë dhe kështu të plotësojnë kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përndryshe, Ukaj thotë se nga ky takim nuk pret më shumë se rifunksionalizim të Procesit të Berlinit.
“Jam skeptik për arsye se kemi më shumë se një dekadë që po bisedojmë me Serbi e me Aleksandar Vuçiqin dhe rezultati është i njëjtë pa një marrëveshje dhe pa një shtyrje përpara në normalizim të marrëdhënieve dhe raporteve Kosovë – Serbi”, tha Ukaj.
Kurse njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, tha se ardhja e palëve në bisedime është lajm i mirë.
Ai për rtv21.tv tha se nga tani fillon së numëruari ora e dialogut. Tutje, theksoi se është dashur një shtet i fortë siç është Gjermania brenda Bashkimit Evropian, që t’i marrë frenat e dialogut.
Sadiku tha se Kosova duhet të vazhdojë dialogun, pasi siç shprehet ai, me dialog ka fituar.
“Kemi mbështetjen e aleatëve tanë siç është Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk guxojmë të bëjmë gabime siç i kanë bërë disa gabime jo vetëm Kurti, por edhe kryeministrat e tjerë, që Kosova të zihet në faj për mos përgjegjësinë e saj dhe për të mos qenë palë konstruktive në dialog, dha karshi aleatëve që faktikisht e kanë krijuar shtetin e Kosovës”, tha ai.

Dje pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie të madhe për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.
Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Kurse Kurti tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Dialogu duhet të ketë njohje reciproke në qendër e jo në fund. Jemi të përkushtuar të ecim shpejt dhe të kemi rezultate konkrete”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të vjetra dhe se nuk ka distancim nga Millosheviqi dhe nga Putini./21Media

Back to top button