Rikthehen protestat e “Xhaketave të Verdha” në Paris

 

Autoritetet franceze kanë shtuar prezencën e policisë në Paris dhe kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve të lëvizjes së ashtuquajtur “Xhaketat e Verdha”.

Qindra protestues u mblodhën në dy sheshe në Paris. Në njërën prej marsheve, nuk u raportua për asnjë incident, por në marshin tjetër, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Protestuesit dogjën disa shporta mbeturinash dhe një veturë.

Autoritetet franceze kanë ndaluar mbajtën e protestave në zonën qendrore të Parisit, përfshirë edhe në Champs-Elysees, ku në të kaluarën protestuesit, për pothuajse dy vjet rresht kanë mbajtur protesta për shkak të shtrenjtimit të taksave për karburantin dhe stilin e udhëheqjes së presidentit Emmanuel Macron.

Policia tha se deri në orën 13:00 ka arrestuar 154 persona.

Protestat në Francë të kësaj lëvizjeje vijnë në kohën kur shteti po përballet me krizën e shkaktuar nga koronavirusi. Protestat e sotme në Paris mbahen kur në Francë, të enjten u shënua rekordi prej pothuajse 10,000 rasteve me koronavirus, teksa numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 është rritur gjatë këtij muaji./21Media

Back to top button