Rikthehet ebola në Afrikë

 

7 raste të konfirmuara dhe 3 vdekje, të parat pas 5 vjetësh, kanë vënë në alarm autoritetet shëndetësore të Guinesë. Shefi i Agjencisë të Shëndetit të këtij vendi deklaroi se Guineja është përpara një pandemie.

Hetimet fillestare treguan se fillimisht një infermiere ishte prekur nga sëmundja nga e cila kishte vdekur.

Pas ceremonisë së varrimit të saj, 6 persona të tjerë rezultuan të infektuar, dy prej tyre vdiqën, ndërsa katër të tjerët përfunduan në spital.

Reagimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ishte i menjëhershëm, përcjell rtv21.tv

“E shohim me shqetësim të jashtëzakonshëm rishfaqjen e Ebolës në Guine, në vend që ka vuajtur shumë prej kësaj sëmundjeje në të shkuarën”, tha Dr Matshidiso Moeti, drejtor rajonal i OBSH-së për Afrikën.

Guinea ishte një ndër shtetet më të goditura nga epidemia e Ebolës, nga viti 2013 deri në 2016.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tani premton se do të dorëzojë në kohë rekorde vaksinat kundër këtij virusi të tmerrshëm. Sipas krerëve të kësaj organizate, studimet në lidhje me këtë virus kanë përparuar shumë dhe kjo tregon se ka dritë në fund të tunelit.

Gjatë një konference për gazetarë në Gjenevë, profesori George Ki-Zerbo, bëri të ditur se do të dërgohen menjëherë vaksina.

Rastet e fundit u zbuluan në rajonin e Nzerekorës, vendi i origjinës i virusit vdekjeprurës nga u përhap epidemia e Ebolës në vitin 2013, e cila mori jetën e më shumë se 11 mijë e 300 personave kryesisht në kontintentin afrikan./21Media

Back to top button