Ripërsërit OVL-UÇK: Procesi gjyqësor në Hagë është i padrejtë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot edhe njëherë kanë ritheksuar se procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe ish-krerëve të kësaj organizate është i padrejtë.
OVL-UÇK ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për mbledhjen e kryesisë, në të cilën, sipas komunikatës, është diskutuar edhe lidhur me kërkesat që i kanë bërë tek Qeveria e Kosovës, por të cilat sipas tyre janë injoruar.
Lidhur me këto kërkesa, OVL-UÇK ka deklaruar se do të kërkojë edhe një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e nëse nuk shqyrtohen kërkesat e tyre, atëherë, do të shqyrtohen masa tjera përmes së cilave do të reagojnë.
“Kryesia e OVL UÇK-së konsideron se procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe OVL të UÇK-së është i padrejtë dhe qëndron prapa qëndrimeve të dhëna vite më parë sa i përket pseudodrejtësisë ndërkombëtare; OVL e UÇK-së, sa i përket çështjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës, diskutojë edhe injorimin që po ua bënë Qeveria e Kosovës kërkesave të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, qoftë për rritje të pensioneve të këtyre kategorive, qoftë për aktivitete të zyreve, qoftë për rehabilitim në banja, qoftë për shkak të problemeve teknike që kanë këto kategori e nuk mund të pajisen me vërtetime nga zyra për kategoritë e dala nga lufta etj, injorim ky që as nuk po diskutohet, për shkak të mos gatishmërisë së Kryeministrit Kurti për t’u takuar. Sa i përket kësaj, u vendos që të kërkohet edhe një takim urgjent me kryeministrin Kurti, e nëse nuk realizohet, do të shqyrtohen masa të tjera të reagimit”, është bërë e ditur në komunikatën e OVL-UÇK.
Ndërkohë që, në takim është diskutuar edhe për aktivitetet që do të mbahen për festën e 28 Nëntorit.