Rritet numri i aksidenteve në trafik, mbi 1500 aksidente në muaj

44 persona kanë humbur jetën sivjet nga aksidentet në trafik. Për portalin rtv21.tv policia ka konfirmuar këto të dhënë, derisa ka bërë thirrje që shtohet kujdesi në komunikacion.
Siç tregojnë statistikat zyrtare të siguruar nga portali rtv21.tv, numri i aksidenteve në territorin e Kosovës është rritur. Në periudhën janar – qershor 2022 kanë ndodhur gjithsej 9 mijë e 352 aksidente, apo në një mesatare prej 1 mijë e 500 aksidente në muaj. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak numri i aksidenteve është rritur për 108 raste.
Përveç apelit për kujdes, policia po vazhdon punën e saj edhe me masa ndëshkuese për të kontribuar në sigurinë publike. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti policia ka shqiptuar 321 mijë e 594 gjoba. Krahasuar me vitin e kaluar numri i gjobave është rritur për mbi 46 %, thonë shifrat zyrtare të siguruara nga portali rtv21.tv.
Krahasimi i aksidenteve në Kosovë për Janar-Qershor 2021/2022

Policia e Kosovës APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.
“Për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.
Dy ditë më parë edhe dy persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, njëri në Rahovec e tjetri në Gjilan./21Media

Back to top button