SBASHK: E shtuna ditë e humbur e mësimit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka deklaruar se dita e sotme është ditë e humbur e mësimit.
Sipas SBASHK-ut, nuk mund të thuhet që ka pasur sot proces mësimor.
“MASHTI  mund të jap shifra e deklarime, por realiteti në terren flet se në 70 % të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë nuk është mbajtur fare mësimi, kurse në pjesën tjetër numri i nxënësve ishte tepër i vogël dhe prandaj edhe aty  nuk mund të thuhet se ka pasur proces mësimor. Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre.”, ka bërë të ditur Sindikata.
SBASHK ka potencuar se MASHTI duhet të mabj takim urgjent për të arritur maerrëveshje për orët e humbura në grevë.
“Në vend që të vazhdojë me presionet e me dërgimin e inspektorëve nëpër shkolla, MASHTI duhet të mendoj pa ngarkesa dhe që në fillim të javës që po vjen të mbaj takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të Kolegjiumit të DKA-ve, të Këshillit të Prindërve dhe të SBASHK-ut për të bërë  përpjekje të përbashkëta dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme lidhur me orët e humbura në grevë. Nëse nuk veprohet kështu , atëherë do të kemi  situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor  nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen  lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndryshe, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka deklaruar se mësimi të shtunave është gabim dhe se ai do të refuzohet.
Sot është raportuar se ka pasur mungesë të nxënësve në disa shkolla.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) para dy ditësh ka informuar se dita e shtunë, 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat. MAShTI ka potencuar se gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvëndësohen. Ndërsa, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kompensimi për orët e humbura gjatë grevës nuk do të bëhet këtë të shtunë, siç ka thënë ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci./21Media

Back to top button