​Scholz konfirmon planin franko-gjerman: Shpresojmë të arrihet një marrëveshje

Lajm i përditësuar
Kancelari gjerman, Olaf Scholz pohoi se ekziston propozimi franko-gjerman në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se pret që shumë shpejt Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa konkret dhe të arrihet një marrëveshje.
Kancelari gjerman foli në një konferencë për media pas përfundimit të punimeve të Samitit të Berlinit.
“Është e saktë se konfliktet që janë të trashëguara në Ballkan duhet të zgjidhen dhe kjo është e mirë që tash kemi rastin dhe tash kemi arritur disa hapa dhe kemi debat për Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe kemi bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë proces, edhe sa i përket raportit të Shqipërisë me Maqedoninë. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë atje duhet të gjendet një mirëkuptim, ne dhe qeveria franceze jemi duke u munduar ta bëjmë të arritshme, të realizueshme, dhe shpresojmë se shumë shpejt ta kemi një proces ku të dy qeveritë do të lëvizin përpara dhe do të arrihet një marrëveshje. Kjo kërkon një fuqi të madhe për arritjen por edhe një durim të madh për arritjen e një marrëveshje”, tha kancelari gjerman.
Ai theksoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë hapa konkret për integrimin në BE.
Von der Leyen: Kosova dhe Serbia të ecin tutje
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ftoi të dy palët që të ecin tutje meqë sipas saj kjo është një urë që po ndërtohet për zgjidhjen e problemeve.
“Bëjmë thirrje për të dyja palët (Kosovën dhe Serbinë) që të ecin tutje sepse kjo është një urë që po ndërtohet për të zgjidhur një problem që mund të zgjidhet por që është në të mirë të një procesi të përshpejtuar të aderimit. Pra procesi i integrimit është i bazuar në meritë, pra nuk ka ndonjë gjë më të mirë apo më të keqe për ndonjë vend të caktuar, secili vend performon sa më shpejt që të bëhen reformat aq më shpejt shkon integrimi”, tha Von der Leyen.
Rama: Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht planin franko-gjerman
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se plani i ri franko-gjerman është një mundësi e mirë duke shtuar se Kosova dhe Serbia duhet ta marrin seriozisht një propozim të tillë.
“Plani i ri gjermano-francez që i ofrohet Serbisë dhe Kosovës është një mundësi tejet e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën pro për gjithë rajonin dhe Evropën, me të vërtetë shpresoj që të dyja palët ta marrin seriozisht dhe të dyja palët ta kuptojnë që është koha që ta shohin si një kontribut të rëndësishëm në gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë”, tha Rama.
Osmani: Marrëveshjet do të kontribuojnë në përafrimin me BE-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mirëpriti marrëveshjet e arritura sot në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Osmani potencoi se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit.
Në këtë drejtim, presidentja falënderoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë.
Kurti në Berlin: Gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë e Evropës
Gazi i lirë i Rusisë është i kushtueshëm për sigurinë e Evropës dhe jetën e ukrainasëve. Kështu deklaroi në seancën energjetike të Samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai shtoi se Evropa ka nevojë për të dyja: energji të gjelbër dhe të qëndrueshme, por sipas tij tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe kostot duhet të ndahen.
“Nevojitet solidaritet dhe mbështetje financiare”, shkroi Kurti në Twitter.
Në këtë samit janë gjashtë vendet e Ballaknit Perëndimor, Kosova po përfaqësohet në Samitin e Berlinit nga kryeministri , Albin Kurti.

Nënshkruhen marrëveshjet në Berlin
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan pak më parë tri marrëveshjet në kuadër të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të mërkurën bëri të ditur për RTV21 se marrëveshjet që do të nënshkruhen kanë të bëjnë me “lëvizjen e lirë me ID kartela, njohjen e institucioneve të arsimit të lartë si dhe kualifikimin profesional të tri profesioneve atë të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve”.
“Me marrëveshjen e sotme, studentët nga Sarajeva do të plotësojnë studimet në Beograd, arkitekët nga Tirana mund të punësohen në Shkup”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se me tri marrëveshjet që do të nenshkruhen sot në kuadër të Procesit të Berlinit, do të bëhen tre hapa të mëdhenj e lehtësojnë jetët e qytetarëve. Marrëveshjet do të jenë për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave e kualifikimit profesional.
“Sot po bëni tre hapa madhor në këtë rrugëtim duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Tahiri: Vuçiq nuk pati fytyrë të shkojë në Berlin
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk pati fytyrë të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Kjo sipas saj, për dy arsye.
“E para një kërcënues i hapur i sigurisë dhe stabilitetit me mjete ushtarake nuk ka vend në një samit që synon paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan, dhe arsyeja e dytë është që sot mori fund projekti hegjemon serb “Ballkani i Hapur”, ndërkaq definitivisht mbizotëroi Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor të gjashtë vendeve WB6. Për ngarendësit e ‘Ballkanit të Hapur’ që prodhoi një tandem të çuditshëm “Eama-Vuçiq’ tashmë mbaroi ky projekt i dëmshëm serbo-rus”, tha Tahiri.
Scholz kërkon përshpejtim në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Kështu deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz në hapje të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Scholz kërkoi përshpejtim në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Sipas tij, është koha që të tejkalohen konfliktet rajonale, në mënyrë që normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi të jap rezultatet e veta.
Kancelari gjerman më tej shtoi se Procesi i Berlinit ka për qëllim të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit. Ai tha se qytetarët e Ballkanit mund të llogarisin te Gjermania dhe ky proces për mbështetje.
Sot në Gjermani filluan takimet në kuadër të Samiti të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Në këtë ngjarje, në kuadër të së cilës pritet të nënshkruhen tri marrëveshje, po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian Viola von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropain, Charles Michel./21Media

Back to top button