Sekuestrohen 39 pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Prishtinë

 
Policia e Kosovës ka sekuestruar sot edhe 39 pajisje për prodhimin e kriptovalutave, në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës”, në Prishtinë.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se 35 prej pajisjeve në kohën kur po kryhej kontrolli ishin në funksion.
“Me datë 08.01.2022, njësitet nga Stacioni Policor veriu Prishtinë, kanë mbështetur ekipe të KEDS në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës”, ku janë gjetur dhe sekuestruar 39 mjete për prodhimin e kriptovalutave, 35 prej të cilave në kohën kur po kryhej kontrolli ishin në funksion. Marrë parasyshë procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, ka njoftuar Policia.
Ndryshe, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka asistuar dhe mbështetur Doganën e Kosovës në realizimin e kontrollit në veri të Mitrovicës, i cili ka rezultuar me shoqërimin e një personi dhe konfiskimin e 272 pajisjeve Antminer, që shërbejnë për prodhimin e valutës digjitale – Bitcoin./21Media

Back to top button