Sëmundja e sheqerit mund të sjellë vdekje të parakohshme, tha për RTV21 endokrinologu Shala

Endokrinologu Genc Shala ka deklaruar se kur trupi i njeriut nuk prodhon sa duhet hormonin insulin (nga pankreasi) apo kur trupi nuk reagon mjaftueshëm ndaj insulinës, kemi të bëjmë me sëmundjen e sheqerit. Ai ka treguar se llojet kryesore të diabetit janë: Diabeti tip 1 (që paraqitet kryesisht në moshë të re), diabeti tip 2 (që paraqitet kryesisht mbi moshën 35 vjeçare), diabeti i shtatzënave, etj.
Endokrinologu Shala për rtv21.tv ka treguar se pasojat e sëmundjes së sheqerit janë të mëdha dhe se mund të sjellë vdekjen e parakohshme.
“Pasojat e diabetit janë dëmtimi i veshkave (që mund të shpie deri ne hemodializë), dëmtimi i shikimit (që mund të dërgojë deri në verbërim), dëmtim i eneve të gjakut (që mund të sjell te infrakti i zemrës, sulmet në tru, amputime të gishtërinjëve të këmbëve apo shputave, etj.). Këto janë edhe arsyet pse diabeti mund të ketë pasojë vdekjen apo më mirë të themi vdekjen e parakohshme.”, ka bërë të ditur Shala.

I pyetur se a mund të shërohet një person tërësisht nga diabeti, endokrinologu ka potencuar se personat me diabet nuk mund të shërohen (për momentin) e sidomos ata me diabet tip 1!
“Personat me diabet tip 2 nuk shërohen por në disa raste munden që përmes sportit dhe dietës të eliminojnë përdorimin e baranve apo insulinës!”, është shprehur Shala, shkruan rtv21.tv
Internisti Shala, i cili punon në Spitalin Amerikan ka treguar se trajtimi më i mirë i sëmundjes së sheqerit është ndërrimi i stilit të jetës. Kjo nënkupton aktivitete sportive (15-30 minuta në ditë), dietë të shëndetshme, marrje të barnave apo e insulinës me rregull dhe kontrollat e rregullta te endokrinoloët./21Media

Back to top button