Sërish debat i ashpër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Atmosfera në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut edhe sot ngjashëm si dje, me tensione, bërtitje dhe trokitje mbi tavolinat nga ana e deputetët e VMRO-DPMNE-së, e në një moment u mblodhën edhe para nënkryetares së Komisionit, Artan Zendeli-Bilalli, e cila udhëhoqi seancën.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski reagoi ashpër kur Zendeli Bilalli tentoi ta nisë seancën për Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.
“Kur do të fillojmë me shqyrtimin e këtij ligji? Çka bëtë? Thoni se dje është përcaktuar rendi ditës. A kishte të drejtë dikush prej nesh të kërkojë që të plotësohet rendi i ditës? Jo, nuk na dhatë mundësi. Domethënë nuk e respektoni Rregulloren. Lexoni çka do të thotë zhvillim i seancës ose i Komisionit. Lexoni pra. Nuk mundet, sepse kur do të përfundoj unë, atëherë do të vazhdoni. Dhe do të vazhdoni me këtë që po ju pyes, e jo me atë që e keni shkruar. Qëllimi juaj është ta mbyllni seancën, e jo ta nisni. Përgjigjuni – çka ndodhi dhe kur do të kemi të drejtë të japim propozim për plotësim të rendit të ditës?”- deklaroi Nikolla Micevski Koordinator I VMRO-DPMNE-së.
Nënkryetarja e Komisionit, Arta Zendeli-Bilalli mbeti në qëndrim se rendi i ditës është miratuar dhe se seanca është nisur sipas Ligjit që dje.
“Është evidente z.Micevski se vazhdimisht dëshironi të na ktheheni mbrapa, bile edhe me skandalin e pashmangshëm dje dhe me kërkesën që të votohet. Rendi i ditës është votuar në sallën “Boris Trajkovski”. Është konstatuar hapja e rendit dite dje në këtë sallë. Tani kur kemi mundësi të bisedojmë, të debatojmë për amendamentet, ju e pengoni këtë. Debati për ligjin tashmë është nisur, vazhdojmë me debatin për amendamentin e parë.”- tha Arta Zendeli-Bilalli.
Nga LSDM-ja dënuan sjelljen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së me fyerje, sjellje të pahijshme dhe të paturpshme nuk lejojnë as të nisë puna e Komisionit. E gjithë kjo është dëshmi se ata janë fajtorët që e shkaktuan incidentin e djeshëm. Gjithmonë kur këtu në Kuvend debatohet për ligje nga fusha e gjyqësorit, deputetët e VMRO-DPMNE-së janë nervozë, kanë sjellje destruktive, shkaktojnë tensione dhe i torturojnë shërbimet e Kuvendit.”- pohoi Martin Kostovski LSDM.
Ndryshe, lidhur me atë se si do të zhvillohet seanca e sotme, mundej të supozohej që në fillim, kur shumë deputetë nga VMRO-DPMNE-ja e “pushtuan” gjithë sallën. Kur erdhën deputetët e LSDM-së, për ta nuk kishte vend, prandaj duhej të rrinin në këmbë.
Për ndryshimet e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat parashihet që të zgjatet mandati i gjykatësve dhe prokurorëve deri në 67 vjet, VMRO-DPMNE-ja dorëzoi 388 amendamente./TV21

Back to top button