SHBA-ja sanksionon Iranin për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë

Policët shqiptarë duke hyrë në Ambasadën iraniane në Tiranë më 8 shtator, pasi diplomatët iranianë u larguan nga ndërtesa.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Iranit dhe kreut të këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, në muajin korrik.
Sanksionet e vendosura më 9 shtator, u tha se kanë të bëjnë edhe me aktivitete të tjera kibernetike të Republikës Islamike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Ky njoftim vjen pasi Shqipëria, më 7 shtator, njoftoi për shkëputjen e raporteve diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit të korrikut, dhe urdhëroi diplomatët iranianë dhe stafin diplomatik që të largoheshin nga shteti brenda 24 orësh.
Përmes një deklarate, Departamenti amerikan i Thesarit tha se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit drejton disa rrjete të aktorëve të kërcënimeve kibernetike, përfshirë edhe ata që janë të angazhuar në spiunazh kibernetik dhe sulme kompjuterike në mbështetje të Qeverisë iraniane.
“Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.
Kjo ministri veçse ishte nën sanksione amerikane. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të Reutersit për këtë çështje.
Ekipi i kërkimit të sigurisë kibernetike i kompanisë Microsoft ka marrë pjesë në hetimin e këtij incidenti. Përmes një postimi, kompania tha më 8 shtator se operacioni kibernetik iranian përfshinte kombinim të teknikave të spiunazhit digjital, fshirjes së të dhënave dhe operacioneve të informacioneve online. Qëllimi i hakerëve, sipas Microsoft-it, ishte që të turpëronin zyrtarët e Qeverisë shqiptare.
Sulmet e korrikut shkaktuan ndërprerje të përkohshme të qasjes në ueb-faqet qeveritare dhe të shërbimeve të tjera publike. Anlistët thanë se operacioni kishte për qëllim të ndëshkonte Shqipërinë për mbështetjen e disidentëve që strehohen në vend.
Irani ka shpërfillur “normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sipas deklaratës së lëshuar nga SHBA-ja./REL

Back to top button