Shërbimi i Radioterapisë është plotësisht funksional

Shërbimi i Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është plotësisht funksional. Këtë e bëri të ditur sot Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Sipas tyre, aktualisht kësaj porcedure i nënshtrohen më shumë se 90 pacientë, kurse pacientët që janë në pritje trajtohen sipas listës së planifikuar nga mjekët onkologë.
Në bazë të raportit të sotëm, Klinika e Onkologjisë ka një furnizim stabil me barna e citostatikë dhe përmbush 80% të kërkesave, derisa po punohet me angazhim të plotë që të sigurohet edhe pjesa tjetër.
Gjithashtu, SHSKUK-ja theksoi se menaxhmenti i emëruar së fundmi është duke punuar intensivisht për të hartuar protokollet unike, në bazë të të cilave do të bëhet trajtimi.
Përshkrimi i terapisë, ndërkaq, do të bëhet vetëm përmes konsiliumeve mjekësore, që janë kompetente për përshkrim të terapisë onkologjike.
Rreth një muaj më parë, është rikthyer në punë Shërbimi i Radioterapisë – Akseleratori për Rrezatim, Shërbimi i Brahiterapisë, Ct- Stimulatori dhe Mozaiku në kuadër të Klinikës së Onkologjisë. Shërbimi ishte ndërprerë shkaku i vërshimeve në hapësirat ku gjenden aparaturat./21Media

Back to top button