Shqipëria e gatshme të ndihmojë për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, ka pranuar sot mbështetjen nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi.
“Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe gjendemi pranë në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike. Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Në këtë kuadër po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaviteteve të Shërbimit. “Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim|, përfundon letra ministres Manastirlu dërguar ministrit Latifi.
Rreth një javë më parë, nga reshjet atmosferike uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikës së Onkologjisë në QKUK. Si pasojë e kësaj është dëmtuar aparatura e Radioterapisë, e cila është jashtë funksionit./21Media

Back to top button