Sigurohet lokacioni për projektin “Solar4Kosovo”

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njoftoi se është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë “Solar4Kosovo”, i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.
Aliu tha se ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës, dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.
“Sot, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde, drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim, z. Rene Eschemann, dhe kryetarin e komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, vizituam lokacionin e këtij projekti në komunën e Obiliqit. Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast: Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë, do të reduktohet emitimi i dioksidit të karbonit për 40.000t në vit, do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë, do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes dhe do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2”, shkroi ministri në Facebook./21Media

Back to top button