Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat bojkoton takimin me Hotin

 

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka bojkotuar sot takimin me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti në të cilin ky i fundit kishte ftuar edhe përfaqësues të sindikatave të tjera e për të cilin paraprakisht kishte njoftuar vetëm kjo Sindikatë.

Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi si arsye ka përmendur se kryeministri ishte vonuar në takim dhe se ishte planifikuar, sipas tij, vetëm një ligjëratë nga ana e Hotit, duke shtuar se nuk duan të bëhen pjesë e fushatave elektorale.

“Me ftesën e kryeministrit të Kosovës, sot në ora 09:30 ka qenë e paraparë që të mbahet takimi në mes të Sindikatës sonë dhe kryeministrit. Në momentin që shkuam, ne kemi marrë informata që në atë takim janë ftuar edhe disa sindikata të tjera dhe takimi është vonuar për 15 minuta, dhe në moment që është bërë ora 09:45 minuta, ne jemi kthyer mbrapa sepse kemi pa që takimi nuk mund të jetë serioz dhe sipas informacioneve që kemi, sigurisht që kryeministri të mbajë një ligjëratë në lidhje se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve, po megjithatë se çka dëshirojmë ne, kërkesat tona i ka më tavolinë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka thënë se tani nuk është koha që të jepen premtime, se do të ketë paga me të mëdha apo premtime se do të rregullohet raporti në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

“Ne nuk e kemi kohën dhe nuk dëshirojmë të marrim tani premtime se do të kemi paga 300 ose 350 euro, ose do të rregullohen raportet në mes punëdhënësit dhe punëmarrësve, këto kanë rënë nga sistemi”, ka thënë Azemi.

Kryetari i SPSPK-së ka se presin vetëm realizimin e kërkesave të tyre, duke shtuar se nuk duan të bëhen pjesë e fushatave të subjekteve politike ose kryeministrit në detyrë.

“Ne nuk iu bindemi premtimeve, ne iu bindemi realizimeve. Ai (Hoti) është dashur të bëjë pagesën për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, ai (Hoti) është dashur të bëjë pagesën edhe për punëtorët teknikë të shkollave, meqë punëtorëve të arsimit iu premtoj një stimulim, atëherë ne kemi kërkuar që ky simulim t’ju takojë edhe punëtorëve teknikë. E ka pasur afatin, e ka pasur mundësinë, ne nuk kemi pasur as një lëvizje në raport me kërkesat tona dhe ne nuk duam të jemi pjesë e fushatave të askujt, as partive politike dhe as të kryeministrit”, ka thënë Azemi.

Azemi ka thënë se Sindikata është e gatshme për marrëveshje konkrete dhe jo që të dëgjojnë premtime se kur do të realizohen kërkesat e punëtorëve.

Back to top button