​Skandali me videon intime, Gjici shkarkohet dhe dorëhiqet

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, fillimisht ka njoftuar dorëheqjen nga kjo pozitë, e më pas është bërë e ditur se edhe është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, pas publikimit të një videoje ku shihet duke kryer veprime të turpshme në zyrën e tij.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjici kërkoi ndjesë të thellë publike çdokujt që sipas tij, sot ka parë atë material të shëmtuar video.

“Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ia arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam më se i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë, por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, theksoi Gjici.

Gjici tha se nuk mund të jem më njeriu që punon në zyrë shteti, pasi shtoi se ka tradhtuar besimin mijëra njerëzve që i besuan.

“Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme, ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen”, tha Gjici.

Më pas, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes se Këshilli i Ministrave ka shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë së Kukësit.

Safet Gjici ishte zgjedhur kryetar i Kukësit në vitin 2019 ndërsa u rikonfirmua si kryetar në zgjedhjet e majit të këtij viti. Ai ishte pjesë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Back to top button