Skënderaj, nënshkruhen kontratat për bursa me 170 studentë

 

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka nënshkruar kontratat për bursa me 170 studentë, në shumën prej 300 euro, për studentët e universiteteve publike në Kosovë.

Pasi i uroj të rinjtë për Ditën e Rinisë dhe përfitimin e bursës nga komuna, Jashari vlerësoi lartë kontributin historik të rinisë duke deklaruar se vullneti, vizioni dhe guximi i rinisë për mbrojtjen e vendit, historisë, kulturës e arsimit është shembull që duhet ndjekur edhe sot nga ju të rinj dhe gjeneratat që vijnë.

Jam i vetëdijshëm me pozitën tuaj në shoqëri, me sfidat që keni në rrugën tuaj të ngritjes profesionale, vështirësitë për tu punësuar, por në asnjë mënyrë nuk duhet të zhgënjeheni, sepse jeni ju ata që duhet të bëni ndryshimin, ju jeni vetë ndryshimi që duhet sjellë në vendin tonë. Ndryshimi arrihet me punë, me aktivizim rinor e qytetar, me përgatitje profesionale, bashkim të ideve e kapaciteteve që keni, në mënyrë që të jetësojmë amanetin e atyre që dhanë jetën për të pasur një shtet të zhvilluar, në shërbim të qytetarëve dhe mirëqenies së tyre”, deklaroi Jashari.

Tutje Jashari potencoi që beson në potencialin që ka rinia jonë, në sinqeritetin dhe vullnetin për t’i shërbyer vendit, dhe për këtë tha se ka vendosur që të rinjtë t’i këtë bashkëpunëtorët më të afërt dhe aleat për të arritur zhvillimin e komunës sonë.

Në këtë drejtim sipas tij pjesa kryesore e ekzekutivit dhe kabinetit të tij përbehet nga të rinj që punojnë pareshtur dhe në shërbim të vendit.

Njëjtë do t’i keni hapur dyert edhe ju, sepse unë besoj në rini dhe kapacitetet e tyre për të zgjidhur problemet dhe sfidat që kemi para nesh, prandaj përkrahja ime dhe e komunës që unë udhëheq nuk do të mungojë asnjëherë”, tha Jashari.

Jashari para të rinjve përmendi projektet dhe investimet që komuna që ia udhëheq është duke realizuar në kulturë, rini e sport, duke përfshirë krijimin e kushteve më të mira të arsimit, zhvillimit të aktiviteteve sportive, kulturore e rekreative, mbështetjen e të rinjve në jetësimin e ideve të tyre kreative përmes përkrahjes me grante për start ap dhe zgjerim të bizneseve.

Back to top button