​“Sonte të gjithë gjelbër e zi”, Trepça reagon para finales me Pejën

Trepça duke jashtëzakonisht e përgatitur dhe e motivuar për finalen vendimtare ndaj Pejës në play-off-in e basbektbollit kosovar që do të zhvillohet sonte në palestrën “Minatori” në Mitrovicë me fillim nga ora 20:00.

Të dy skuadra kanë barazuar 2-2 në serie pas katër ndeshjeve dhe fituesi i ndeshjes së sotme do të kurorëzohet me titullin e kampionit të Kosovës.

Pak orë para ndeshjes, Trepça ka bërë një reagim në rrjetet sociale duke u bërë thirrje tifozëve për mbështetje sa më të madhe në mënyrë që mbrëmja të përfundoj me festë të madhe në Mitrovicë.

Ky është reagimi i plotë i tyre:

Dy ngjyra, një dashni… sa shumë Mitrovicali

Sonte po e përmbyllim një rrugëtim, që më së paku thënë ishte fantastik. Garat evropiane, garat mbarëkombëtare, Superkupa, Kupa, Superliga, Playoff…

Shumë finale, trofe, shumë shikues, shumë pasion, shumë emocion. Sonte është kapitulli final, ndeshja vendimtare për titull.

Përkushtimi është maksimal për ta përmbyllur me festë madhështore, me trofeun që e presim gjatë.

Mitrovica e meriton atë, ju mitrovicas e meritoni titullin dhe një festë që vetëm ju dini ta bëni. Ju falenderojmë nga zemra për përkrahjen e jashtëzakonshme që po na jepni. Faleminderit “Torcida”. Jeni të pa konkurrencë. Jemi me fat që ju kemi.

Emocionet po prekin kulmin dhe fillimi i ndeshjes po afron. Të bashkuar shkojmë drejt sfidës së titullit. Të bashkuar për dy ngjyra, një emër e një qytet.

Sonte të gjithë gjelbër e zi. Shihemi.

Back to top button