“Specialja nuk garanton gjykim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së”

 

KMDLNJ ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë që të trajtojë ish-krerët e UÇK-së në përputhje me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, në përputhje me dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare, si dhe në përputhje me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale të Kosovës.

Në një reagim për media, KMDLNJ përkujton se që nga fillimi ka reaguar për shkeljen e të drejtave të njeriut të të akuzuarve siç është diskriminimi në përkthimin e materialeve e që e vështirëson pregatitjen e mbrojtjes efektive dhe bashkëpunimit mbrojtës – i akuzuar.

“Materialet që iu janë dorëzuar të akuzuarve janë përkthyer vetëm pjesërisht ndërsa Gjykata Speciale deklaron vazhdimisht se materialet po përkthehen. Ende, në disa raste të akuzuarve nuk iu është dorëzuar arsyetimi i plotë i aktakuzës në gjuhën shqipe dhe për këtë nuk kemi asnjë reagim nga i ashtuquajturi Ombudsperson i kësaj gjykate që ka mandat të mbrojë të drejtat e të akuzuarve. Me Deklaraten Universale për të Drejtat e Njeriut, me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, me Rregullat Europiane të Burgjeve si dhe me Kushtetutën e Kosovës garantohet një gjykim i drejtë, i pandikuar politikisht dhe i paanshëm duke siguruar të gjitha kushtet për mbrojtje efektive të të akuzuarve e që në rastin konkret keni shkelje të të gjitha këtyre dokumenteve ndërkombëtare si dhe të Kushtetutës së Kosovës, aq më parë që themelues i kësaj Gjykate Speciale është Kuvendi i Kosovës dhe thuhet se kjo gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Prandaj, duhet ta respektojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare e që qartazi nuk e bënë apo e bënë vetëm pjesërisht dhe për nevoja të prokurorisë apo gjykatës, në dëm të të akuzuarve dhe mbrojtjes”, thuhet në reagim.

KMDLNJ përkujton se kryeprokurori i Gjykatës Speciale, në disa raste e ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar se të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm e që paraqet trysni te gjykata që të mos marrë vendim për mbrojtje në liri për asnjë të akuzuar e që paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut për të akuzuarit.

Në fakt, thuhet tutje në reagim, se kjo mund të llogaritet si trysni për trupin gjykues duke i konsideruar fajtorë të akuzuarit, ende pa fillur gjykimi.

“Shkeljeve të drejtave të njeriut të personave të akuzuar po i kontribuon edhe kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trandafilova e cila, në çdo paraqitje po i demonizon të akuzuarit duke deklaruar se duan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale edhe si të paraburgosur që janë e që është nonsens dhe ndërhyrje flagrante kundër të akuzuarve. Në fund të fundit, nëse Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, sipas të së njëjtës procedurë mund edhe të shfuqizohet”, thekson KMDLNJ.

Gjithashtu, kërkohet të respektohet e drejta e përdorimit të gjuhëve zyrtare, në përputhje të plotë me Ligjin për Pëdorim të gjuhëve në Kosovë. Po ashtu, kërkon që të përfillet kërkesa e të akuzuarve si dhe avokatëve mbrojës që të furnizohen me kohë nga prokuroria dhe gjykata me materiale që u ndihmojnë në përgatitjen efektive të mbrojtjes sikur që të kenë kohë të mjaftueshme për organizimin e mbrojtjes dhe se gjykimi i përshpejtuar mund të zbatohet vetëm me pëlqimin dhe marrëveshjen e të akuzuarve me prokurorinë dhe gjykatën.

KMDLNJ fton prokurorinë, gjykatën dhe veçanërisht kryetaren e gjykatës të mos e shkelin parimin e prezumimit të pafajësisë, në të kundërtën do të konsiderohet si ndërhyrje flagrante në punën dhe pavarësinë e gjykatës e që, seriozisht e vë në dyshim të drejtën e të akuzuarve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

KMDLNJ kërkon nga të gjitha palët që të rezervohen nga çdo deklaratë që ua shkel të drejtat e njeriut personave të privuar nga liria e që mund të ndikojnë në vendimin e gjykatës, e cila ka përgjegjësi të plotë që pas provave të proceduara të marrë një vendim lirues apo fajësues dhe kjo është e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e gjykatës kompetente./21Media

Back to top button