Spitalet e Kosovës bëhen me 675 shtretër të rinj

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka pranuar sot donacion 675 shtretër nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Shtretërit janë shpëndarë në klinikat e QKUK-së dhe gjashtë spitale të përgjithshme që menaxhohen nga ShSKUK-ja.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se Qeveria e Kosovës është shumë falënderuese për këtë përkrahje, sikurse edhe vet qytetarët e Kosovës, të cilët tek Qeveria dhe populli japonez, kanë gjetur gjithmonë mbështetje për kërkesa konkrete.
“Kontributet si ky, do ta kenë ndikimin e drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor dhe ne ju falënderojmë edhe një herë për mbështetjen konkrete dhe të vazhdueshme për shëndetësinë tonë”, ka thënë Latifi.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Yamanaka Keisuke, ka thënë se sigurimi i shtretërve për QKUK-në është pjesa e dytë e implementimit të projektit që kap vlerën prej 846 mijë eurove apo 110 milionë Yenëve Japonez.
Përfaqësues Kryesor i Zyrës Ballkanike të Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Jiro Takeichi, ka thënë se bazuar në marrëveshjen me MSH-në, 359 shtretër do të mbesin në QKUK, ndërsa 316 të tjerët do të jenë për gjashtë spitalet e përgjithshme (Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë).
Ai ka theksuar se përfituesit kryesor nga modernizimi i shtretërve spitalor, vebinaret e përcjella lidhur me sëmundjet ngjitëse, përfshirë COVID-19 dhe hulumtimit rreth sektorit shëndetësor do të jenë qytetarët e Kosovës./21Media

Back to top button