SSHCK: Sakrifica e kontributpaguesve po keqpërdoret nga qeveritë tona

Shërbyesit civil paralajmëruan edhe protesta

Drejtues të Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës në një konferencë për media kërkuan të nivelohen pagat e shërbyesve civil me sektorët e tjerë me Projektligjin për Pagat për sektorin publik, ndërkohë që janë paralajmëruar edhe protesta.

Ata kërkuan që të njihet përvoja e punës për punëtorët e administratës shtetërore, të cilët kanë punuar në bazë të Ligjeve të Republikës së Kosovës e të cilët janë larguar nga puna gjatë kohës së okupimit serb, ashtu siç iu është njohur kjo përvojë mësimdhënësve.

Nëse nuk realizohen këto kërkesa paralajmërojnë greva në vendin e punës dhe protesta, ndërsa thonë se do ta paralizojnë administratën e shtetit.

Mursel Zymberi, kryetar i kësaj Sindikate, tha se është e turpshme që në sistemin e drejtësisë të rriten pagat tri herë më shumë se shërbyesve civil me përgatitje të njëjtë.

“Me këtë projektligj pozita e nëpunësve civil, shërbyesve civil do të jetë shumë e pa favorshme ose do të thellohet. Do të ketë një diskrepancë të madhe të pagave në mes të sektorëve të caktuar. Për neve kjo është fyese, sepse ne kemi dhënë kontributin tonë që 18 vjet pa dashur asnjë herë me i penguar proceset shtet-formuese. Shërbyesit civil, po mbeten shumë anash, dhe jemi të detyruar të ndërmarrim veprime në interes të barazisë”, tha Zymberi.

Me projektligjin e ri 1000 euro është paga më e lartë, në këtë rast sekretari permanent, ndërsa paga e më e ulët e një nëpunësi civil 380 euro.

Ai ngriti shqetësimin tjetër për mosnjohjen e përvojës së punës për të gjithë ata punëtorë, të cilët mbrojtën kauzën kombëtare në vitet 1989-1999.

“Të gjithë të punësuarëve, shërbyesve civilë, të cilët janë larguar nga puna me masa të dhunshme të administratës të ish-pushtetit të kaluar, iu mohohet e drejta në njohjen e stazhit të punës, përvojës në punë. Ndërsa, iu njihet e drejta  e atyre që punuan dhe pranuan masat e dhunshme, ndërkaq, këtë që patën për kauzë  kombëtare dhe nuk iu nënshtruan masave të dhunshme atyre nuk iu njihet përvoja e punës dhe shumë dhe shumë punëtorë ndoshta kanë mbetur për një muaj, për gjashtë muaj, edhe për një vjet, të cilët nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kontribut pagues. Me të gjithë ato sakrifica mbeten bashkë me një bashkëqytetarë tjetër, I cili merr pensionin e rëndomtë, 75 euro. Kjo është jo normale, jo humane, jo njerëzore dhe pa përgjegjshme. Këtë din me bërë vetëm qeveritë tona”, tha ai.

Remzie Zekolli, nënkryetare e kësaj sindikate, ka thënë se të enjten më 4 tetor punonjësit e komunës së Vushtrrisë do të protestojnë për nivelimin e pagave me projektligjin e ri.

“Ja bëjmë me dije Qeverisë së Kosovës se nuk pajtohemi me projektligjin për paga, i cili është diskriminues për shërbyesit civil të Kosovës, sidomos të nivelit lokal. Pra, të enjten kemi protestë që të mos aprovohet ligji në këtë formë siç është”, ka thënë Zekolli.

Protesta do të mbahet prej orës 9.00 deri në orën 10.00, ndërkohë që  edhe komuna tjera paralajmërojnë shumë shpejt protesta.

Back to top button